English

Vendoset në Shkup përmendorja e Aleksandrit të Madh të Maqedonisë

Shkup, 15 qershor 2011, NOA – Në sheshin qendror “Maqedonia” në Shkup nisi të vendosej dje përmendorja e Aleksandrit të Madh të Maqedonisë. Përmendorja e Lekës së Madh të Maqedonisë është e lartë 12 metra, e bashkë me bazamentin arrin në 22 metra.

Komuna Qendër njoftoi se punimet për vendosjen e skulpturës do të zgjasin 15 ditë.

Pas vendosjes së skulpturës pjesë-pjesë do të rregullohet edhe hapësira rreth shatërvanit dhe do të vendoset ndriçim.

Por, pas ardhjes së përmendores në Shkup kanë dalë hapur zërat për spekulime, me pretendimin se shtylla ku është parashikuar të vendoset “Leka i Madh” nuk do të mund ta mbajë gjithë rëndesën dhe madhësinë e tij.

Sipas informacioneve jo zyrtare thuhet se përmendorja mund të bjerë menjëherë pas vendosjes së saj në platformë.

Pasigurinë e rrit edhe fakti se Qeveria ka kërkuar mendim nga Instituti i Inxhinierisë dhe Sizmologjisë vetëm për stabilitetin e shtyllës, por jo edhe për qëndrueshmërinë e tërë përmendores.

Nga Instituti kanë konfirmuar se garantojnë për stabilitetin e shtyllës, por jo edhe për kalin dhe Lekën, pasi askush nga ata nuk kanë kërkuar që të hetohet tërë përmendorja, shtatorja e të cilës do të jetë e lartë 22 metra.

Procedurat teknike dhe aktivitetet për vendosjen e skulpturës do të kryhen nga ana e ekipit profesional nga persona nga fonderia "Ferdinando Marineli", ku është bërë skulptura.

INA/NOA

KOMENTE