Bruksel, 15 qershor 2011, NOA – Komiteti ndërparlamentar i Stabilizim-Asociimit, Shqipëri-Bashkimi Evropian do të vijojë paraditen e sotme ditën e dytë të diskutimeve për përmbushjen e 12 kritereve të Progres-raportit të KE-së, për integrimin në BE, një takim që si ai i djeshmi do të mbahet me dyer të mbyllura.
Në ditën e parë të diskutimeve, Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fule në fjalimin e tij shprehu shqetësimin se situata politike në Shqipëri është përkeqësuar tejet pas përmbylljes së procesit të votimit të 8 majit dhe pikërisht gjatë procesit të shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve për kryetarin e bashkisë së Tiranës, për zgjidhjen e të cilës ai bëri thirrje për nisjen e dialogut të sinqertë.
Komisioneri Fule në deklaratën e tij të publikuar pas takimit ndërparlamentar deklaroi se “Përgatitja e zgjedhjeve vendore dhe procesi i votimit të 8 majit ishin në përgjithësi pa trazira e të qeta, përveç disa parregullsive, një proces që vlerësua si pozitiv”.
Sipas Fules procesi i numërimit të votave në KZAZ-të edhe pse i vonuar e i ndërprerë në disa raste, funksionoi mirë dhe ishte transparent.
Fule theksoi se situata politike u përkeqësua për shkak të problemeve me tabelat e rezultatit për Tiranën.
Komisioneri për Zgjerimin u shpreh i keqardhur se ai vetë dhe BE pas ngjarjeve të 21 janarit kishin shpresuar se zgjedhjet e 8 majit do të kontribuonin në kapërcimin e ngërçit politik ku ndodhet prej shumë kohësh klasa politike shqiptare.
Fule u bëri apel liderëve politikë shqiptarë që të presin qetësisht dhe pa polemika përmbylljen në mënyrë konstruktive të procesit zgjedhor.
Këtu Fule theksoi se ka interpretime të ndryshme mbi vlefshmërinë e votave të hedhura në kutitë e gabuara.
Në këtë pikë Komisioneri Fule deklaroi se është tejet e nevojshme kryerja e një reforme gjithëpërfshirëse në Kodin Zgjedhor, dhe për këtë ai apeloi për bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës, por edhe me shoqërinë civile.
Komisioneri i bëri thirrje liderëve politikë shqiptarë të gjejnë rrugën për të dialoguar dhe për të marrë vendime në të mirë të interesit të vendit dhe qytetarëve.
Duke folur për liberalizimin e vizave, Fule tha se politika shqiptare ka treguar vullnet pozitiv dhe është për t’u përshëndetur progresi pozitiv.
Po kështu ai kërkoi që palët të tregojnë vullnet pozitiv edhe në përmbushjen e 12 kritereve kyç, të nevojshme për anëtarësimin e vendit në BE.
Ai nënvizoi se rezultatet mbi këto kritere të BE-së Komisioni Europian do t’i paraqesë në mesin e muajit tetor.
Komisioneri për Zgjerimin bëri me dije edhe letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të KiE-s dërguar kryeministrit Sali Berisha, ku shprehet shqetësimi për situatën e përkeqësuar politike dhe ku kërkohet nisja e dialogut të menjëhershëm për kapërcimin e ngërçit të tejzgjatur politik.
Ai foli edhe për mungesën e dialogut politik në Kuvendin e Shqipërisë, i bojkotuar nga opozita që ka sjellë edhe mosfunksionimin e punës së këtij institucioni.
“Mungesa e dialogut politik ka sjellë bllokim të punës dhe funksionimit të Parlamentit. Ligjet që kërkojnë 3/5 e votave ende janë të bllokuar, kjo ka sjellë bllokim të emërimit të Avokatit të Popullit, gjyqtarë dhe anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. Unë ftoj dhe njëherë opozitën të marrë pjesë plotësisht në aktivitetet e Parlamentit dhe ta përdorë këtë forum institucional, për të arritur objektivat e saj politike”, deklaroi Fule.
Komisioneri për Zgjerimin në BE ritheksoi gjatë deklaratës edhe çështjen e lirisë e pavarësisë së medias, duke kërkuar të mos përdoren standarde të dyfishta.
Ai përmendi edhe çështje të tjera me rëndësi si zbatimin e të ligjit, çështjen e pazgjidhur të pronave, luftën kundër korrupsionit, ligjin anti-mafia, duke paralajmëruar se për rezultatet mbi të gjitha kriteret KE do të flasë në mesin e muajit tetor.
Në takimin e tretë të Komitetit të Stabilizim Asociimit në PE delegacioni shqiptar përbëhet nga 14 deputetë, që i përkasin Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, si Fatos Beja, Albana Vokshi, Florian Mima, Jemin Gjana, Mesila Doda, Aldo Bumci, Valentina Leskaj, Mimi Kodheli, Eduard Shalsi, Ditmir Bushati, Taulant Balla dhe Ilir Beqja.
mit/NOA