English

Vrasja për hakmarrje e Llanaj, policia prangos një të dyshuar

Vlorë, 15 qershor 2011, NOA – Vrasja për hakmarrje e 62-vjeçarit nga Selenica e Vlorës Batjar Ahmet Llanaj, ka hedhur në prangat e policisë 36-vjeçarin Fatmir Gjysho Petraj, edhe ky nga Selenica.

Policia e Vlorës bën me dije se Petraj dyshohet se ka marrë pjesë në aksionin për vrasjen për hakmarrje të Baftjar Llanaj.

Sipas policisë Fatmir Petraj në bashkëpunim me disa persona të tjerë, të cilët janë shpallur në kërkim për motive hakmarrjeje kanë vrarë me armë zjarri tip automatik shtetasin Baftjar Llanaj, vrasje e ndodhur mbrëmë rreth orës 18.30 në vendin e quajtur “Bishti i Malit” në bashkinë Selenicë të komunës Armen.

Viktima Llanaj ishte duke udhëtuar nga Selenica për në Vlorë me automjetin e tij tip Mercedes-Benz me targa VL 6368 C.

Nga të shtënat me armë zjarri, në vendin e ngjarjes ka mbetur i plagosur edhe shtetasi Fatmir Petraj, tashmë i arrestuar, i cili ndodhet për trajtim mjekësor në spitalin Ushtarak Tiranë, jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Vlorës po punon për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, të cilët janë nën akuzë për vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim dhe prodhimin e mbajtjen pa leje të armëve luftarake dhe municionit.

mit/NOA

KOMENTE