English

Berisha: Axhendë për barazinë gjinore, ngushtim diferencës burrë-grua

Tiranë, 16 qershor 2011, NOA- Në fjalën hapëse gjatë mbledhjes së qeverisë, Kryeministri Berisha u shpreh lidhur me garancinë e barazisë gjinore në vend.

Ai tha se barazia gjinore, është i një rëndësie kapitale për shoqërinë shqiptare për lirinë dhe të drejtat themelore në shoqërinë shqiptare dhe për Shqipërinë në tërësi, ku kërkoi të bëhet kujdes më i veçantë ndaj kësaj çështje.

“Barazia gjinore përbën objektivin më madhor dhe fisnik gjithashtu dhe më të vështirë të një shoqërie, barazia gjinore rezulton para së gjithash dhe mbi të gjitha në aksesin dhe kontrollin e burimeve dhe përfitimeve në një shoqëri, nënkupton barazinë gjinore ligjore, barazi në vendimmarrje politike, pra si proces është një proces ndër më kompleksët. Shkaku i kësaj pabarazie është mur i patriarkut, i lartësuar nga doktrina të shumta duke filluar nga librat më të mira të njerëzimit që janë librat e shenjta e deri tek doktrinat shkencore e pseudoshkencore”, deklaroi Berisha.

Sipas tij, qeveria, agjencitë e saj dhe shoqëria civile do të kenë prioritet realizimin e barazisë midis burrit e gruas, motrës e vëllait, djalit e vajzës në shoqërinë shqiptare.

Si një tjetër diferencë në Shqipëri mes grave dhe burrave është pagesa, por tha ai tek shpërndarja e punës në vitin 2005 diferenca në pagën mesatare mes burrave e grave ka qenë 34% kjo kryesisht për shkak të sektorit privat, ku drejtuesit e sipërmarrjeve në tërësi kanë qenë burra dhe vazhdojnë të jenë, por këtu kontribut ka patur sigurisht edhe sektori publik.

Më tej ai tha se, “Ndërhyrja e fuqishme në rroga që ka bërë qeveria, në mësuesi, në mjekësi të dominuar kryesisht nga vajzat e gratë, kanë sjellë një ngushticë në rroga por jam i sigurt që nuk e kanë zhdukur atë, por jam i bindur se kjo ekzistencë ekziston dhe ne duhet të bëjmë çdo gjë për zhdukjen e saj”.

Sakaq ai shtoi se grave shtëpiak duhet tu krijohet mundësia të shpalosin aftësitë, prandaj tha ai fondet e qeverisë dhe përpjekjet e saj duhet të jenë shumë serioze duke thënë se do u jepet përparësi grave dhe vajzave.

Kryeministri Berisha u ndal edhe në dhunën ndaj grave duke thënë se nuk mund të ç’bëhet për 5 vjet ajo që u bë për 5 mijë vjet, pasi shtoi ai shoqëria shqiptare akoma ka një predispozitë të papranueshme, për tu vërsulur verbërisht ndaj një gruaje apo një vajze, për një krim, për një faj apo problem, gjë që nuk bëhet as për burrin e as për djalin, duke thënë se ky fenomen kujton shekujt e shkuar dhe që frymëzohet nga kujtime primitive të asaj psikologjie.

Ai theksoi se janë miratuar ligje të mira por ende duhet të përmirësohen, duhet të shpallet vepër e rëndë penale dhuna ndaj grave dhe vajzave, duke thënë se kjo të shndërrohet në axhendë dhe program të secilës ministri dhe agjenci ku do të përcaktohen objektiva, dhe do të monitorohen ato.

a.y/NOA

KOMENTE