Tiranë, 16 qershor 2011, NOA- (Update) Në vijim të fjalës së tij gjatë mbledhjes së qeverisë Kryeministri Berisha deklaroi krahas nismës për barazinë gjinore edhe vendosmërinë në mbështetje të komunitetit të romëve dhe egjiptianëve në vendin tonë.
Sipas kreut të qeverise prej shekujsh po vijon diskriminimi ndaj tyre.
“Qeveria është e vendosur që të punojë në mënyrën më serioze për të ndihmuar romët dhe egjiptianët në Shqipëri, pasi ata kanë një kontribut të madh dhe real në këtë vend. Qeveria po punon dhe do të punojë me përparësi të madhe në drejtim të strehimit, shkollimit dhe punësimit të tyre”, deklaroi Berisha.
Më tej ai shtoi se po negociohet me institucionet ndërkombëtare financiare dhe së fundmi, me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Europës, për të financuar projekte në ndihmë të romëve.
Ndërsa më herët ai u dal edhe në dhunën ndaj grave duke thënë se nuk mund të ç’bëhet për 5 vjet ajo që u bë për 5 mijë vjet, pasi shtoi ai shoqëria shqiptare akoma ka një predispozitë të papranueshme, për tu vërsulur verbërisht ndaj një gruaje apo një vajze, për një krim, për një faj apo problem, gjë që nuk bëhet as për burrin e as për djalin, duke thënë se ky fenomen kujton shekujt e shkuar dhe që frymëzohet nga kujtime primitive të asaj psikologjie.
a.y/NOA