Athinë, 16 qershor 2011, NOA - Pas dështimit të negociatave për krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar, kryeministri grek Jorgos Papandreu pritet të bëjë ndryshime në kabinetin e tij, për të kërkuar më pas votëbesimin e parlamentit.
Kreu i qeverisë greke, njëherësh edhe kryetar i socialistëve të PASOK-ut mësohet të ketë patur presione të mëdha brenda radhëve të partisë, pas deklarimit të tij për të dhënë dorëheqjen dhe krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar, me përbërjen edhe të partive të opozitës.
Sipas gazetës “Ta Nea”, krijimi i një qeverie teknike dështoi, pasi u mor vesh se kjo ide e diskutuar në bisedën telefonike 20 minutëshe mes dy liderve kryesorë, Papandreu – Samaras mund të bëhej realitet.
“Nëse jam unë problemi, atëherë tërhiqem”, mësohet t’i ketë thënë Papandreu kundërshtarit të tij kryesor, liderit të Demokracisë së Re, Antonis Samaras.
Por menjëherë pas kësaj deklarate, kreu i PASOK-ut ka ndeshur në reagimin e ashpër të partisë së tij, duke bërë një kthesë 360 gradë në qëndrimin e tij.
Sipas gazetës “Ta Nea”, pas shumë bisedimeve me krerë të lartë të partisë së tij, Papandreu u bind për të mos vazhduar më tej me idenë e krijimit të një qeverie të unitetit kombëtar.
Pas këtyre zhvillimeve në vend kanë nisur menjëherë polemikat lidhur me besueshmërinë e kryeministrit grek.
Mediat e vendit fqinj zbulojnë se për t’ia faturuar dështimin e negociatave opozitës dhe kreut të saj, ekipi i Papandreut paraqiti 3 propozim-marrëveshje si kusht për krijimin e një qeverie teknike, të cilat vështirë se do të pranoheshin nga opozita.
Greqia është futur në një tjetër spirale të zhvillimeve politike, të cilat pritet të ndezin një debat të ashpër në parlamentin e vendit, ndërsa të indinjuarit dhe lëvizjet e tjera qytetare kanë deklaruar vijimin e protestave dhe kundërshtimin e masave antikrizë.
mit/NOA