Tiranë, 16 qershor 2011, NOA- Hysni Burgaj, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit priti në një takim gjatë ditës së sotme, homologun e tij kosovar Reshat Mailiqi së bashku me një delegacion përfaqësuesish të policisë së Kosovës.
Në vijim të takimit mes tyre u theksua fakti për thellimin e bashkëpunimeve të mëtejshme.
Më tej dy homologët nënshkruan edhe një memorandum bashkëpunimi, për organizimin e shërbimeve të përbashkëta të Policisë Rrugore në akset kryesore të vendit në kuadër të sezonit turistik veror.
Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast Burgaj theksoi se, bashkëpunimi mes organizatave të Policive të dy vendeve ka qenë në nivelin më të lartë dhe se nga viti në vit ky bashkëpunim ka shënuar progres në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, trajnimeve të përbashkëta me metodat më të mira bashkëkohore, në drejtim të luftës së krimit ndërkufitar.
Sakaq ai theksoi se po përfundojnë procedurat e marrëveshjes për kryerjen e procedurave të përbashkëta të kontrollit të hyrje- daljeve nëpërmjet pikave të kalimit kufitar Morinë, Qafë Prush, Qafë Morinë, duke theksuar lehtësinë e lëvizjes mes dy vendeve.
Nga ana e tij Maliqi tha se, “Bashkëpunimi dhe komunikimi ynë besoj se do të fuqizohet akoma më tepër edhe në të ardhmen, sepse ne kemi partnerët më të fuqishëm, Policinë e Shqipërisë, që ndihmon Policinë e Kosovës në të gjitha fushat, si në atë të trajnimeve, logjistikës ashtu dhe në goditjen e krimit. Përmes një bashkëpunimi dhe komunikimi të tillë ne ofrojmë më shumë siguri për qytetarët në të dy pjesët e territorit dhe do të jemi të suksesshëm në goditjen e krimit dhe të atyre që kërkojnë të abuzojnë me ligjin”.
Lidhur me nënshkrimin e memorandumit ai u shpreh se, memorandumi i bashkëpunimit për patrullim të përbashkët, shërben për të përballuar me sukses fluksin e madh të qytetarëve të Kosovës në Shqipëri gjatë sezonit veror.
a.y/NOA