English

Gjyqi i Gërdecit, Wollfarth: Drejtësia të garantojë përmbylljen e procesit

Tiranë, 16 qershor 2011, NOA – Pas vonesave trevjeçare të procesit më të njohur gjyqësor atij që lidhet me tragjedinë e Gërdecit ku humbën jetën 26 persona e u plagosën dhjetëra të tjerë, ka reaguar Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Eugen Wollfarth, i cili u bën thirrje urgjente autoriteteve të drejtësisë të garantojnë përmbylljen e këtij procesi të rëndësishëm.

“Unë u bëj thirrje urgjentisht të gjitha autoriteteve përkatëse të drejtësisë që të ndërmarrin të gjitha përpjekjet e mundshme, brenda kuadrit ligjor, për të garantuar përmbylljen e shqyrtimit të drejtë dhe publik të kësaj çështjeje brenda një periudhe të arsyeshme kohore”, deklaron Wollfarth.

Në krye të deklaratës ambasadori shprehet se “Jam i shqetësuar se ky proces duket se nuk po zhvillohet në përputhje të plotë me parimet e gjykimit të drejtë, të mishëruara në Kushtetutë dhe në ligjet e tjera përkatëse të vendit”.

Në komunikatën e shpërndarë vetëm pak minuta më parë për mediat, Wollfarth theksoi se “Prezenca e OSBE-së në Shqipëri po ndjek nga afër procesin penal që po zhvillohet rreth të ashtuquajturës çështje të Gërdecit, seanca e 152-të e së cilës u mbajt më 15 qershor”.

Wollfarth foli me ton të prerë ndaj gjyqtarëve, duke thënë se nëse të pandehurit gëzojnë të drejtën themelore të mbrojtjes ligjore, mosparaqitja e përsëritur e avokatëve mbrojtës nëpër seanca përbën një abuzim të çdo sistemi drejtësie.

“Seanca e fundit nuk është veçse një tjetër dëshmi e këtij fakti, duke pasur parasysh se seanca zgjati vetëm 20 minuta, pasi gjykata e shtyu procesin për shkak të mungesës së shumicës dërrmuese të të pandehurve dhe avokatëve mbrojtës”, tha ai.

Ambasadori i OSBE-së nënvizon më tej se “Kanë kaluar tre vjet nga tragjedia e Gërdecit, dhe me gjithë përpjekjet e konsiderueshme që ka bërë trupi gjykues për të planifikuar mbajtjen e seancave një herë në dy ditë, procesi duket se është shumë larg finalizimit dhe shumica e seancave nuk janë zhvilluar”.

Wollfarth bën me dije se vonesat e vazhdueshme nuk bëjnë gjë tjetër veçse e cënojnë besimin aq shumë të nevojshëm te sistemi i drejtësisë dhe më gjerësisht te shteti i së drejtës në Shqipëri, sidomos në këtë çështje kaq delikate.

mit/NOA

KOMENTE
  • Blerta 11:27 - 16 Qershor 2011
    NJONI I BIE THUMIT ...TJETRI PATKOIT ...PAPAPAPAPA...NA CMENEN...PO ..PER NJE DREQ PIRAMIDE NE MES TE TIRONES ..EDHE PASTAJ THONE JO E KA FAJIN RAMA JO E KA FAJIN BERISHA ,,,PFFF.....DJAJ ME ME BRIRE HESHTASH,,,,,LENI NJEREZIT TE JETOJEN ..E MARTE DREQI ME GJITHE IDERA ..TE BUDALLEPSURA ....