English

Gordon: SHBA do të vazhdojë punën për njohjet e reja për Kosovën

Prishtinë, 16 qershor 2011, NOA- Në kuadër të vizitës së tij në Kosovë ndihmës sekretari amerikan i Shtetit Philip Gordon zhvilloi një takim edhe me Presidenten e vendit Atifete Jahjaga.

Gordon e përgëzoi Presidenten për zgjedhjen në krye të vendit dhe tha se kjo shënon një hap të madh përpara, si dhe tregon për zhvillimin e një demokracie të vërtetë.

Më tej ai tha se SHBA-ja është e përkushtuar dhe do të vazhdojë angazhimin e saj në ndihmë Kosovës dhe gjithë rajonit dhe vlerësoi se është me rëndësi që të gjitha vendet e Ballkanit të ecin përpara në rrugën e integrimeve europiane.

Sakaq ai shtoi se SHBA do të vazhdojë të punojë së bashku me institucionet e vendit në çështjen e njohjeve të reja për Kosovën, duke theksuar se synimi kryesor është Bashkimi Europian.

Ndërsa Presidentja Jahjaga u shpreh se, Kosova ka nevojë për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-së dhe të miqve europianë, për njohjet e reja dhe për anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.

“Kosovës i duhet marrëdhënia kontraktuale me BE-në, meqë do të qartësohej rruga europiane e Kosovës, do të krijonte barabarësi me vendet e tjera të rajonit, do të forconte subjektivitetin ndërkombëtar dhe do të rriste besimin e qytetarëve në institucione. Kosova duhet të ketë pavarësinë, subjektivitetin dhe sovranitetin e saj të plotë dhe se prania ndërkombëtare dhe misionet në Kosovë duhet të përfundojnë me sukses, që do të shënonte sukses të përbashkët”, deklaroi Jahjaga.

Ajo tha se suksesi në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë është në interes të qytetarëve të të dyja vendeve dhe vlerësoi se zgjidhjet mund të gjenden nëse respektohen standardet evropiane.

a.y/NOA

KOMENTE