Zëvëndëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme z. Edmond Haxhinasto, flet pas kthimit nga Brukseli. Ndalet në debatin e ndezur këto ditë pasi Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, z. Jagland, ka informuar nëpërmjet një letre Kryeministrin Berisha për vendimin e tij për t`iu drejtuar Komisionit të Venecias për një opinion lidhur me situatën post-zgjedhore në Shqipëri që të mos kemi më përsëritje të situatave të tilla.
Haxhinasto vlerëson se ka folur me z..Jagland dhe ka sqaruar nga biseda me të se “ai në mënyrë shumë të qartë i referohet të ardhmes, pra kohës kur Shqipëria do të realizojë një reformë zgjedhore për të saktësuar më tej çështje që dikujt mund t`i jenë dukur të pa qarta në legjislacionin ekzistues”.
Për më shumë ndiqni intervistën e plotë:
Z. Haxhinasto, keni zhvilluar një vizitë urgjente në Bruksel. Për çfarë u bisedua konkretisht në këtë takim?
Nuk ka qenë një vizitë urgjente, ka qenë një vizitë rutinë siç bëjmë vazhdimisht për të kontaktuar zyrtarë dhe personalitete nga më të lartat të Këshillit të BE-së dhe të Parlamentit dhe të Komisionit Evropian. Kam biseduar me ta për situatën në vend, për hapat që duhen ndërmarrë për të vazhduar më tej me axhendën e integrimit të vendit, kryesisht për sa i takon plotësimit të dymbëdhjetë prioriteteve.
Ajo që kemi ndarë dhe kemi gjetur mirëkuptim të plotë është se pikërisht tani është momenti kur të gjitha palët duhet të respektojnë institucionet e pavarura, duhet të respektojnë vendimin e gjykatave dhe më tej të vazhdojnë me të gjithë detyrimet e tjera që kanë forcat politike për sa i takon procesit të integrimit të vendit në BE.
Nga kush u thirr ky takim?
Ju thashë që këto janë takime rutinë që ne i zhvillojmë me të gjithë partnerët tanë në Këshillin e BE-së apo në Parlamentin Evropian.
Disa ditë më parë Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, z. Jagland, ka informuar nëpërmjet një letre Kryeministrin Berisha për vendimin e tij për t`iu drejtuar Komisionit të Venecias për një opinion lidhur me situatën post-zgjedhore në Shqipëri që të mos kemi më përsëritje të situatave të tilla. Si e shihni ju këtë?
Nuk është ekzaktësisht kështu, pasi unë kam pasur edhe një bisedë telefonike me z. Jagland, me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës. Z.Jagland në mënyrë shumë të qartë i referohet të ardhmes, pra kohës kur Shqipëria do të realizojë një reformë zgjedhore për të saktësuar më tej çështje që dikujt mund t`i jenë dukur të pa qarta në legjislacionin ekzistues.
E theksoj dhe një herë që z.Jagland i referohet të ardhmes, kështu është shprehur dhe në letër dhe ai thjesht ofron të gjithë ekspertizën e Komisionit të Venecias për sa i takon draftimit dhe amendimit të legjislacionit ekzistues. Është e rëndësishme të thuhet që kjo ofertë është bërë në mënyrë publike nga ana e kësaj mazhorance, për Komisionin e Venecias, rreth një vit më parë kur i është bërë thirrje dhe opozitës aktuale që të përgatisë gjithë amendimet e kodit, i është kërkuar që këto të çertifikohen me ekspertët e ODIHR-it ose të Këshillit të Evropës dhe më pas ato do të adaptoheshin dhe do të miratoheshin si amendime të këtij kodi nga ana e mazhorancës. Kjo nuk ndodhi për arsye që tashmë dihen dhe sigurisht që nuk është faji i kësaj mazhorance.
Ajo që është e rëndësishme është që në të ardhmen çdo reformë për sa i takon Kodit Zgjedhor, për sa i takon ligjeve të rëndësishme në Shqipëri, sigurisht që ka një pikë shumë të rëndësishme reference që është Komisoni i Venecias , që është një komision që merret me praktikat më të mira dhe me parimet kryesore të hartimit të legjislacionit evropian dhe të të drejtave të njeriut. Prandaj do të jetë dhe do të vazhdojë të jetë një pikë reference për Shqipërinë dhe për legjislacionin e saj në të ardhmen, përfshirë dhe kodin që po flasim.
Edhe një herë tjetër pamë dje nga Brukeseli një gjuhë me kritika drejtuar Tiranës zyrtare. Si Zëvendëskryeministër, a ka qeveria shqiptare ndonjë plan për ta tejkaluar këtë ngërç politik i cili vazhdon prej një kohe shumë të gjatë?
Mendoj se Tirana zyrtare është një përcaktim që ju duhet ta keni më të saktë pasi i bëhet thirrje politikës. Politika sigurisht është më e gjerë sesa Tirana zyrtare. Ajo që është e rëndësishme dhe çfarë vjen nga thirrjet që bën BE-ja, të gjithë institucionet e tij, qoftë Këshilli, Parlamenti apo qoftë Komisioni, është që në Shqipëri të respektohet logjika demokratike, të respektohet logjika e institucioneve të pavarura, të presim vendimet e gjykatave, të angazhohemi për procesin e integrimit te vendit, të plotësojmë detyrimet që kemi për sa i takon dymbëdhjetë prioriteteve.
Por sigurisht të kemi dhe një sy tek përmirësimet e nevojshme ligjore që duhen bërë dhe për kodin. Sigurisht që të gjitha palët janë përgjegjëse për t`u angazhuar për përmirësimin e kodit në të ardhmen, sigurisht dhe me konsulencën e institucioneve të tilla të rëndësishme siç është edhe Komisioni i Venecias.
Z.Haxhinasto, në lidhje me flamurin, simbolin tonë kombëtar, një koment tuajin për sa i përket yllit në këtë simbol?
Unë do ta vlerësoja si një gabim njerëzor, ne në këto momente jemi duke pritur shpjegimin zyrtar nga ana e Protokollit të Parlamentit Evropian. Ata, në mënyrë gojore kanë shprehur keqardhjen e tyre dhe kanë kërkuar falje për këtë që ka ndodhur. Por, jemi në pritje të një shpjegimi dhe të një faljeje zyrtare nga ana e Protokollit të Parlamentit Evropian që ka organizuar këtë aktivitet.
Në deklaratën e Parlamentit Evropian një ditë më parë shprehej qartë se klasa politike në Shqipëri është e paaftë që të zgjidhë krizën dhe kjo duket se do të largojë vendin tonë nga integrimi. Nga takimet që patët ju ditën e djeshme, u shpreh ky qëndrim?
Unë them që perspektiva është shumë e qartë, perspektiva është ekzaktësisht siç e thashë, që të gjithë palët të respektojnë institucionet e pavarura, të respektojnë çdo vendim që vjen nga Kolegji Zgjedhor për sa i takon këtyre zgjedhjeve, ta pranojnë atë dhe të ecin përpara. Të ecin përpara duke ndjerë të gjitha përgjegjësitë që ka secila palë për sa i takon detyrave që kemi për dymbëdhjetë prioritetet, që do të thotë se secila palë të realizojë veprimtarinë e vet politike në funksion të këtyre dymbëdhjetë prioriteteve, gjë që realizohet gjithashtu brenda kuadrit të institucioneve, brenda kuadrit të ligjit pasi gjithçka që kërkohet në dymbëdhjetë prioritetet është funksionim normal parlamenti, përgatitja e legjislacionit, reforma të ndryshme legjislative, gjë që kryhet vetëm në Parlament dhe jo duke bërë bojkote apo duke u sjellë në mënyrë destruktive ndaj ekzaktësisht atyre prioriteteve dhe objektivave që janë kombëtare, nuk janë të një partie apo të një mazhorance por janë kombëtare që presupozon që të gjitha forcat politike duhet ta ndiejnë këtë përgjegjësi dhe të angazhohen për realizimin e tyre.