English

Haxhinasto – Kadiu: Të hapet në Romë “Shtëpia e Shqiptarëve”

Tiranë, 16 qershor 2011 NOA- Arti shqiptar ka nevojë për një strehë të vetën jashtë kufijve të Shqipërisë. Mbi këtë fakt, ministri i jashtëm Edmond Haxhinasto ka hedhur një ide të re gjatë takimit me artistin e njohur shqiptar dhe Ambasadorin e Kombit, Kledi Kadiu, i shoqëruar nga një grup produksioni i Radio Televizionit Italian “RAI 5”.

Ministri Haxhinasto diskutoi mbi mundësinë e hapjes së “Shtëpisë së Shqiptarëve”, në Romë, e cila mund të realizohet në bashkëpunim dhe me kontributin e shqiptarëve në Itali. Kjo shtëpi do të jetë në rolin e një qendre kulturore për të gjithë emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali. Qendra gjithashtu mund të shërbejë si pikë referimi për qytetarët italianë të cilët kërkojnë të informohen mbi kulturën, historinë, artin, arkeologjinë e turizmin shqiptar.

Haxhinasto tha se po punohet me qeverinë italiane për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore për emigrantët, me qëllim që këtyre të fundit t’ju njihen vitet e punës si në shtetin amë ashtu dhe në vendet ku aktualisht punojnë.

Kledi Kadiu ndodhet në Shqipëri për të realizuar një dokumentar dedikuar shkollës shqiptare të baletit dhe balerinëve të saj më të njohur të cilët performojnë në skenat e teatrove më të shquara, jo vetëm në Itali por në të gjithë Evropën.

Dokumentari televiziv i cili po realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme do të shfaqet në kanalin prestigjioz italian “RAI 5” dhe synon të përcjellë një imazh pozitiv për Shqipërinë, akademinë e shkollës artistike shqiptare dhe artistëve të saj kudo ku ndodhen, jo vetëm në Itali por në të gjithë Evropën.

a.q/NOA

KOMENTE