English

Kolegji protokollon vendimin, KQZ të rinis shqyrtimin e fletëve të kontestuara

Tiranë, 16 qershor 2011, NOA- Kolegji Zgjedhor ka protokolluar vendimin e marrë ditën e hënë lidhur me ankimimin e Partisë Socialiste-për numërimin e votave të hedhura gabim në të gjitha qendrat e votimit në Tiranë.

Duket se zbardhja e këtij vendimi është bërë vetëm pak orë përpara skadimit të afatit, pasi mesnata shënonte edhe përfundimin e tij.

Në vendimin e marrë të hënën Kolegji urdhëroi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të hapen mbi 300 kuti të disa KZAZ-ve në Tiranë për të numëruar fletë të kontestuara në to.

Kolegji u shpreh se pasi të numërohen këto fletë të kontestuara, rezultati për to ti shtohet shumatores aktuale që ka KQZ dhe më pas të realizohet tabela përmbledhëse për Tiranën.

Kryerelatorja Dhurata Haveri lexoi vendimin: “Kolegji Zgjedhor në bazë të nenit 153 në përfundimit të shqyrtimit gjyqësor vendosi: pranimin e pjesshëm të kërkesës së paditësit Partia Socialiste e Shqipërisë; anullimin e vendimit 827 të KQZ-së për pikat 2 dhe 3 ku bëhet fjalë për rrëzimin e kërkesës ankimore numër 161 dhe 162 të subjektit PS. Anulimin e vendimit nr.703 të KQZ dhe vendimin 711 datë 23/5 2011 te KQZ. Urdhërimin e palës së paditur KQZ të hapë, rinumëroje dhe rivlerësojë votat e kontestuara në kutitë e pahapura të materialeve zgjedhore për Bashkinë Tiranë në 386 QV për kryetarin e Bashksië Tiranë, Këshillin e Bashkisë Tiranë, Kryetarin e Njësisë Bashkiake dhe këshillin e njësisë bashkiake për votat që nuk janë hedhur në kutitë respektive të së njëjtës qendër votimi dhe mbi bazën e tyre të shpallë tabelat përmbledhëse për rezultatin e Bashkisë Tiranë”.

Sakaq duket se me rihapjen e këtyre kutive rihapet edhe gara për kreun e bashkisë së Tiranës, ndërsa aktualisht kryeson kandidati demokrat Lulzim Basha.

a.y/NOA

KOMENTE