English

Media: Agjencia Kombëtare e Turizmit, si i marrin rrogat kot

“Lëvizja “Zgjohu” e Maqedonisë duhet respektuar me mirënjohje nga shqiptarët e Shqipërisë për interesimin dhe fushatën promocionale që ajo ka bërë për turizmin në Shqipëri”

Lëvizja “Zgjohu” e Maqedonisë duhet respektuar me mirënjohje nga shqiptarët e Shqipërisë për interesimin dhe fushatën promocionale që ajo ka bërë për turizmin në Shqipëri.

Por, kjo fushatë e iniciuar thjeshtë nga dashuria e shqiptarëve të Maqedonisë për Shqipërinë, e iniciuar nga një grup joqeveritar dhe pa asnjë financim, i ka dhënë qeverisë shqiptare një shuplakë të fortë, vlerëson tv Klan.

Asnjë promocion për turizmin shqiptar, asnjë ftesë për të pushuar në Shqipëri nuk ka bërë Agjencia Kombëtare e Turizmit të shtetit tonë. Është absurde dhe krejtësisht e papranueshme që të kujdesen apo të interesohen për turizmin tonë një grup të rinjsh në Maqedoni.

E gjithë kjo strukturë që duhet të bëjë pikërisht këtë gjë nuk ka bërë asnjë punë. Agjencia Kombëtare e Turizmit si dhe Drejtoritë e degëve të turizmit në Shqipëri që paguajnë rreth 100 persona me rroga mjaft të mira e konsiderojnë punën të kryer vetëm nga fakti se këta rrogëtar të turizmit e kanë filluar plazhin për vete.

Mesazhi i Lëvizjes “Zgjohu” të Maqedonisë është i qartë; e gjithë Agjencia Kombëtare e Turizmit apo drejtoritë e tjera që marrin rrogën për këtë punë në Shqipëri duhet të pushohen menjëherë nga puna dhe Kryeministri i Shqipërisë rrogat e këtyre punonjësve të shtetit që nuk bëjnë asnjë punë veç pushimeve turistike për vete ku të shumtën e rasteve jashtë shtetit duhet tua shpërndajë lëvizjes “Zgjohu” në Maqedoni apo Kosovë që kujdesen më shumë për turizmin shqiptar.

Pusho “Shqip”

Lëvizja qytetarë “Zgjohu” në bashkëpunim me ambasadën e Shqipërisë në Shkup edhe sivjet do të vazhdojë fushatën nën moton “Pusho Shqip”. Qëllimi i kësaj fushate është stimulimi i shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë nga Maqedonia të kalojnë pushimet vjetore në qendrat turistike shqiptare.

Ambasadori shqiptar në Maqedoni Arben Çeku, numëroi angazhimet që po i bën lëvizja Shqipërisë për tërheqjen e turistëve të huaj.

Me këtë rast ai theksoi se bregdeti shqiptar po bëhet gjithnjë dhe më atraktiv për turistët nga të gjitha vendet e Evropës dhe botës.

Fushata “Pusho Shqip” realizohet për herë të dytë në Maqedoni, ndërsa këtë vit do të zgjerohet edhe në Kosovë. Shqipëri vitet e fundit është shpallur si destinacioni më i preferuar i pushuesve evropian.

KOMENTE