Tiranë, 16 Qershor 2011 NOA – Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, bëri sot një deklaratë lidhur me procesin e Gërdecit, duke bërë kërkesa direkte ndaj gjyqësorit dhe sikundër shprehet Wollfarth, ndaj të gjitha autoriteteve përkatëse në Shqipëri.
Wollfarth pohoi se Prezenca e OSBE-së në Shqipëri po ndjek nga afër procesin penal që po zhvillohet rreth të ashtuquajturës çështje të Gërdecit, seanca e 152-të e së cilës u mbajt më 15 qershor.
“Jam i shqetësuar se ky proces duket se nuk po zhvillohet në përputhje të plotë me parimet e gjykimit të drejtë, të mishëruara në Kushtetutë dhe në ligjet e tjera përkatëse të vendit”, - thotë shefi i Prezencës.
“Ndërsa të pandehurit gëzojnë të drejtën themelore të mbrojtjes ligjore, mosparaqitja e përsëritur e avokatëve mbrojtës nëpër seanca përbën një abuzim të çdo sistemi drejtësie”, vëren Wollfarth.
Kurse konstaton se seanca e fundit nuk është veçse një tjetër dëshmi e këtij fakti, duke pasur parasysh se seanca zgjati vetëm 20 minuta, pasi gjykata e shtyu procesin për shkak të mungesës së shumicës dërrmuese të të pandehurve dhe avokatëve mbrojtës.
Më tej z.Wollfarth shton: “Kanë kaluar tre vjet nga tragjedia e Gërdecit, dhe me gjithë përpjekjet e konsiderueshme që ka bërë trupi gjykues për të planifikuar mbajtjen e seancave një herë në dy ditë, procesi duket se është shumë larg finalizimit dhe shumica e seancave nuk janë zhvilluar”.
Për z.Wollfarth “vonesat e vazhdueshme nuk bëjnë gjë tjetër veçse e cenojnë besimin aq shumë të nevojshëm te sistemi i drejtësisë dhe më gjerësisht te shteti i së drejtës në Shqipëri, sidomos në këtë çështje kaq delikate”.
Në fund vjen apeli i kreut të OSBE: “Unë u bëj thirrje urgjentisht të gjitha autoriteteve përkatëse të drejtësisë që të ndërmarrin të gjitha përpjekjet e mundshme, brenda kuadrit ligjor, për të garantuar përmbylljen e shqyrtimit të drejtë dhe publik të kësaj çështjeje brenda një periudhe të arsyeshme kohore”.
e.t/NOA