Bruksel, 16 qershor 2011, NOA – Pas mosarritjes së konsensusit mes PS-së e PD-së për daljen me një deklaratë të përbashkët në mbyllje të takimit dyditor ndërparlamentar të Komitetit të Stabilizim Asociimit, BE-Shqipëri, Parlamenti Europian doli me një deklaratë të njëanshme ku shprehu me qartë se të dyja palët janë të paafta që të gjejnë një kompromis për interesat e vendit dhe qytetarëve të tyre, të cilët i kanë zgjedhur.
Për të disatën herë gjatë këtyre dy viteve të fundit PE shprehu shqetësimin për situatën politike në Shqipëri, e tejzgjatur pa asnjë progres.
PE theksoi në deklaratën e mbrëmshme se progresi i Shqipërisë drejt integrimit në BE mund të dëmtohet seriozisht për shkak të moszgjidhjes së ngërçit politik dhe destabilizimit të situatës postzgjedhore, një nga prioritetet kyç në aplikimin e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Parlamenti Europian i bëri thirrje liderëve politikë shqiptarë të gjejnë rrugën për dialog brenda institucioneve.
Ndryshe nga herët e tjera, PE pas mosarritjes së konsensusit mes palëve është shprehur prerë se do të qëndrojë neutrale dhe nuk do të mbajë anë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që lidhen me zgjedhjet vendore të 8 majit.
Në këtë kuptim PE nënvizoi se pret që mosmarrëveshjet të zgjidhen duke respektuar kuadrin ligjor.
Këtu PE thekson se nëse është e nevojshme palët mund këshillohen edhe nga institucionet ndërkombëtare.
Parlamenti Europian vlerësoi me tone pozitive procesin e liberalizimit të vizave duke i bërë thirrje shqiptarëve që ta shfrytëzojnë në mënyrë të përgjegjshme lëvizjen e lirë.
mit/NOA