English

Thaçi- Gordon: SHBA dhe Kosova miqësi të përjetshme

Prishtinë, 6 qershor 2011, NOA- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot në takim ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Philip Gordon.

Pas takimit kryeministri Thaçi dhe ndihmës sekretari Gordon, ata kanë nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit në fushën e arsimit për të vijuar më pas me konferencën e përbashkët.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast kreu i qeverisë kosovare e falënderoi mysafirin për kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhënë për Kosovën.

“Republika e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë miqësinë e tyre të përjetshme. Një dëshmi tjetër e gjithë kësaj është edhe Memorandumi i Mirëkuptimit që nënshkruam sot, ku edhe njëherë Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes USAID-it, do të ndihmojë që të reformojmë fushën e arsimit primar në Republikën e Kosovës, gjë të cilën e çmoj shumë dhe është e një rëndësie të veçantë për ne”, u shpreh Thaçi duke theksuar faktin se Kosova është një shtet me popullatë të re dhe ku arsimimi është një prioritet i lartë.

Sakaq ai i premtoi Gordon se Kosova do vijojë punën për ndërtimin e rendit demokratik dhe shumetnik, për ndërtimin e raporteve të shkëlqyeshme me të gjitha vendet e rajonit e në kuadër të kësaj edhe me Serbinë.

Nga ana e tij ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip Gordon ka ritheksuar mbështetjen e shtetit amerikan për Kosovën dhe pavarësinë e saj, duke veçuar edhe njëherë garancinë për këtë.

“Kosova duhet të shihet si një vend, që është i përkushtuar dhe i vendosur për të luftuar korrupsionin, për të rritur dhe forcuar demokracinë dhe të vazhdojë të përmirësohet në hapat, të cilët janë ndërmarrë për të treguar këtë përkushtim. Kisha kënaqësinë të nënshkruaja këtë Memorandum të Mirëkuptimit me Kryeministrin, sepse ai tregon edhe një shenjë tjetër për bashkëpunimin e dy shteteve tona, qeverive tona për çështje kritike, siç është edhe arsimi”, deklaroi Gordon.

a.y/NOA

KOMENTE