Nga Karl-Peter Schwarz
Sheshi Skënderbej, qendra e Tiranës, prej disa muajsh është kthyer në një kantier gjigant ndërtimi. Restaurimi i tij është një nga preokupimet kryesore të kryebashkiakut dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, që e ka nxjerrë kryeqytetin shqiptar nga apatia postkomuniste dhe e ka kthyer në një nga qytetet më atraktive në Ballkan. Dikur makineritë do të tërhiqen nga Sheshi Skënderbej dhe tabelat udhëzuese se aty po bëhen punime nuk do jenë më. Por përkundër kësaj nuk duket asnjë fund në krizën e gjatë politike, që nisi me akuzat për manipulim të rezultatit në zgjedhjet parlamentare para dy vitesh dhe kulmoi me përplasjen për zgjedhjet për kryebashkiak në Tiranë.
Gjashtë javë pas zgjedhjeve nuk është ende e qartë nëse Edi Rama do bëhet kryebashkiak për herë të katërt ose që ai është mundur nga Lulzim Basha, kandidat i Partisë Demokratike të kryeministrit Sali Berisha.
Mbështetur në një rezultat paraprak jozyrtar, Rama ishte shpallur fitues me vetëm dhjetë vota përpara. Me nxitjen e Partisë Demokratike, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli si të vlefshme edhe ato fletë votimi që nuk ishin marrë në konsideratë për shkak se ishin hedhur në kutitë e gabuara- çdo votues kishte dy fletë votimi, një për kryebashkiak dhe një tjetër për këshillin bashkiak, që hidheshin në kuti të ndryshme. Numërimi i ri e nxori në avantazh me 81 vota Lulzim Bashën, ndërsa socialistët e apeluan rezultatin në gjykatë.
Padia e socialistëve, sipas së cilës Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndryshuar rregullat pas zgjedhjeve, u hodh poshtë nga gjykata për shkak se ligji nuk e rregullonte mënyrën se si trajtoheshin këto vota. Sukses pati megjithatë ankesa e tyre pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte shkelur parimin e barazisë së trajtimit të çdo vote, sepse jo të gjitha, por vetëm një pjesë e kutive ishin numëruar. Por në këto zgjedhje pati mospërputhje të tjera. Në ditën e zgjedhjeve, për shembull, vetëm 256 507 qytetarë në Tiranë hodhën votën në kutitë e votimit, por aty u gjetën 257 377 vota. Nuk ka asnjë shpjegim zyrtar për ekzistencën e 870 votave shtesë.
Shanset që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat në një të ardhme të afërt nuk janë përmirësuar me këto zgjedhje. Do të duhen vite derisa në dhomën e pritjes së BE porta të hapet pakëz- të paktën aq gjatë sa partitë të bien dakord që të mbajnë zgjedhje siç duhet, të numërojnë votat në rregull, të mos frikësojnë votuesit e të mos manipulojnë rezultatin.
Ndryshe nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, ligjshmërinë e të cilave Edi Rama e kishte vënë gjithashtu në dyshim, vëzhguesit e BE dhe Shteteve të Bashkuara kanë mirëkuptuar ankesat e socialistëve, por kanë paralajmëruar të dy palët kundër një përshkallëzimi të ri të dhunës politike. Në janar katër demonstrues u vranë nga Garda Republikane pasi pjesëmarrës të dhunshëm të një proteste socialiste rrethuan selinë e kryeministrit. Paralajmërimet nga Brukseli deri më tani kanë pasur pak efekt- askush nuk e llogarit një anëtarësim të shpejtë në BE.
Se sa do të zgjasë numërimi i ri i votave, nuk mund të parashihet. Për socialistët humbja e Tiranës do të ishte një humbje e rëndë. Dy qendrat e pushtetit në vend, qeveria kryesore dhe kryeqyteti do ishin në duart e Partisë Demokratike. Për tendencat autoritariste të Sali Berishës nuk do kishte ndonjë kufi. Rama do humbiste me postin e kryebashkiakut edhe bazën e pushtetit tek socialistët, çka mund të përdorej nga forcat radikale në parti.
Ndërkohë në rrugët e Tiranës po grumbullohen mbeturina. Sa kohë nuk është e qartë se kush do e drejtojë qytetin, punonjësit e kanë lënë mënjanë punën.
* “Frankfurter Allgemeine Zeitung”