English

VMRO dhe BDI: Negociata korrekte për Qeverinë

Shkup, 16 qershor 2011, NOA- Dy partitë kanë zgjedhur deklaratat për shtyp për të njoftuar mbi mbarëvajtjen e negociatave për formimin e koalicionit, ku nënvizohet se nuk ka probleme dhe bllokada, por bisedimet po zhvillohen në një atmosferë konstruktive.

VMRO-DPMNE dhe BDI sot nëpërmjet komunikatave për media janë deklaruar lidhur me ecurinë e negociatave për formimin e Qeverisë.

Në komunikatën e BDI-së theksohet se dialogu për Qeverinë e re po zhvillohet në një atmosferë pozitive dhe konstruktive.

“Grupet për bisedime janë duke punuar në drejtim të përforcimit të partneritetit dhe besimit të ndërsjellë, si shtylla themelore për funksionimin e mirë të kabinetit të ardhshëm qeveritarë. Të gjitha informacionet që kanë qarkulluar në media gjatë këtyre ditëve janë spekulime të pabaza dhe BDI, si parti serioze politike, do ta informojë në mënyrë transparente, formale dhe me kohë opinionin dhe elektoratin, lidhur me çdo çështje sa i përket këtij procesi”, theksohet në komunikatën e BDI-së.

Ndërsa, në të njëjtën mënyrë ka dalë edhe sqarimi nga VMRO-DPMNE.

“Negociatat po zhvillohen në drejtim të sigurimit të një raporti partneriteti të bazuar tek mirëbesimi i deritanishëm i ndërtuar si dhe në bazë të marrëdhënieve të ndërtuara parimore të deritanishme. Në këto bisedime po shqyrtohen prioritetet dhe mënyrat e realizimit të tyre gjatë qeverisjes së ardhshme të koalicionit”, theksohet në komunikatën e VMRO-DPMNE.

Negociatat nga pala e BDI-së po udhëhiqen nga sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Abdilaqim Ademi, ndërsa nga VMRO-DPMNE nga Sasho Mijallkov. Partia shqiptare ka bërë një platformë kërkesash në planin politik dhe ekonomik, me afate konkrete si dhe ka kërkuar pozicionim më të fuqishëm në kuadër të koalicionit, duke synuar disa nga ministritë më të rëndësishme.

(INA)/NOA

KOMENTE