English

Autoriteti i konkurrencës marrëveshje me FLE: Të nxitet konkurrenca e lirë

Tiranë, 17 qershor 2011, NOA- Institucioni i Autoritetit të Konkurrencës dhe kryetarja e tij Lindita Milo gjatë ditës së sotme nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit me Fondacionin për Liri Ekonomike i cili u kryesua nga drejtori Artan Gjergji.

Sqarohet se synimi i këtij memorandumi ka si qëllim nxitjen e bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe publikun e gjerë për mbrojtjen e konkurrencës së lirë dhe efektive në përputhje me ligjin “Për mbrojtjen e Konkurrencës”.

Theksohet se kjo do të bëhet nëpërmjet vlerësimit të projekt akteve normative në fushën e konkurrencës nëpërmjet portalit të krijuar nga FLE, (Fondacioni Civil Online: fco.al). në këtë mënyrë synohet rritja e transparencës së Autoritetit dhe zhvillimi i kulturës së konkurrencës të publikut të gjerë.

Autoriteti i Konkurrencës shprehet se në funksion të rritjes së avokatisë dhe kulturës së konkurrencës se ai është i hapur për çdo bashkëpunim me Shoqatat e Biznesit, Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë dhe gjithë organizmat joqeveritarë me qëllim nxitjen e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg dhe përhapjen e kulturës së konkurrencës te të gjithë aktorët dhe faktorët e tregut si konkurrentët, klientët, konsumatorët, entet rregullatorë dhe organet e qeverisë qendrore dhe vendore.

Në përfundim të njoftimit të dalë nga ky autoritet, ftohen të gjithë individët dhe subjektet e interesuar që të japin mendimin e tyre për projekt-aktet normative të hartuara nga ky institucion duke kontaktuar direkt me institucionin.

a.y/NOA

KOMENTE