Tiranë, 17 qershor 2011, NOA- Ministria e Punës në vijim të nënshkrimit nga ana e qeverisë të Konventës së OKB për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara ka menduar të hartojë Ligjin për Aftësitë e Kufizuara.
Për këtë fakt ka nisur organizimin e sesioneve të konsultimit nga përfaqësues të shoqërisë civile në të gjithë vendin me grupet e interesit, ku gjatë ditës së sotme u ndal në Tiranë.
Zëvendës ministrja Filloreta Kodra deklaroi se, “çështjet e aftësisë së kufizuar janë shumë të rëndësishme dhe mbështetja financiare e personave me aftësi të kufizuara dhe ndërmarrja e hapave për integrimin e tyre në të gjitha aspektet e jetës është impenjimi kryesor i institucioneve shtetërore”.
Më tej ajo shtoi se, hartimi për herë të parë i një Ligji kuadër për Aftësinë e Kufizuar do të sjellë edhe zgjidhjen e mjaft problemeve të tyre, pasi për herë të parë të gjitha kategoritë e aftësisë së kufizuar, të drejtat e tyre, por edhe detyrimet e institucioneve përgjegjëse do të përfshihen në një ligj i cili do të jetë në përputhje me legjislacionin e BE dhe Konventës së OKB.
Nga ana e tituj, zv.Drejtori i PNUD në Shqipëri, Freddy Austli, theksoi se kjo agjenci mbështet Qeverinë shqiptare për të realizuar të drejtat e personave me aftësi të kufizuara të parashikuara në Konventë.
Pas sesioneve konsultative në Shkodër dhe Tiranë, javën e ardhshme do të vazhdohet me takime të tilla edhe në Korçë dhe Vlorë.
Duke qenë se në Shqipëri personat me aftësi të kufizuara zënë 3% të popullsisë.
Ministria e Punës, e ngarkuar të drejtojë procesin e ratifikimit të Konventës, me mbështetjen teknike dhe financiare të agjensisë së OKB – PNUD, ka filluar këtë nismë në të cilën do të përfshihen përfaqësues të organizatave të personave më aftësi fizike, të shoqërisë civile, të institucioneve dhe të PNUD.
a.y/NOA