English

Kriza greke rrëzon “në pikiatë” dërgesat e emigrantëve, 12% më pak

Athinë, 17 qershor, NOA – Të detyruar nga efektet negative të krizës ekonomike që ka përfshirë Greqinë, emigrantët shqiptarë që vijojnë të jetojnë dhe punojnë në vendin fqinj, kanë dërguar drejt shtëpive të tyre 690 milionë euro më pak.

Kjo shifër publikohet nga ANA, agjencia greke e Lajmeve, në një shkrim të posaçëm dedikuar rënies në “pikiatë” të dërgesave financiare të shqiptarëve drejt familjeve të tyre.

Referuar shifrave të Bankës së Shqipërisë, shkrimi thekson faktin sesi kjo është shifra më e lartë e rënies së dërgesave, shënuar gjatë shtatë viteve të fundit.

“Në nivelet më të ulëta të shtatëvjeçarit të fundit i ka zbritur remitancat drejt atdheut të emigrantëve shqiptarë kriza në Greqi. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Shqipërisë, remitancat e emigrantëve në vitin 2010 u kufizuan në 690 milionë euro, duke shënuar kundrejt vitit 2009 (781 milionë euro), një ulje prej 12%”, citon artikulli në fjalë.

Duke shtuar se ulja e nivelit të remitancave të emigrantëve i dedikohet, veç të tjerave, edhe rikthimit përfundimtar të shqiptarëve për shkak të krizës ekonomike në vendet fqinje, kryesisht në Greqi, siç vihet në dukje në një njoftim të zyrës ekonomike dhe çështjeve tregtare të ambasadës greke në Tiranë.

Më tej, citohen të dhënat nga dhoma e Tregtisë e Gjirokastrës për 17 muajt e fundit, sipas të cilave, 48 kompani të reja u krijuan në rajon nga persona të rikthyer nga Greqia.

25 të tilla, vetëm në 5 muajt e parë të këtij viti.

Në fund, citohet se kurba rënëse e remitancave të emigrantëve pritet të vazhdojë edhe gjatë pjesës tjetër të 2011-s, ndërsa sipas parashikimeve të Bankës Botërore, niveli i përgjithshëm i remitancave të emigrantëve, që mbeten një burim i rëndësishëm financimi për mijëra familje shqiptare, do të mbetet këtë vit në nivelin e vitit 2010 dhe sidomos më i ulët se niveli i 2008-s (833 milionë euro).

n.e/NOA

KOMENTE