English

Largohet punonjësi i EULEX-it që shau shqiptarët

Prishtinë, 17 qershor, NOA - Shefi i EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac ka vendosur që t’ia shkëpusë kontratën ish-pjesëtarit të sigurimit të tij të afërt, Stephane Laurent, për shkak se ka shkelur kodin e sjelljes, raportojnë mediat kosovare.

Për Laurentin, në muajin prill ishte raportuar se ka fyer rëndë kolegët e tij shqiptarë në baza etnike. Blerim Krasniqi, zëdhënës i EULEX-it e ka konfirmuar shkëputjen e kontratës së Laurent. Ai ka njoftuar se ndaj vendimit të shefit të Misionit, Laurent kishte paraqitur ankesë e cila është hedhur poshtë nga paneli shqyrtues.

Paneli, sipas Krasniqit, ka konstatuar se vendimi është i drejtë dhe se ankesa e Laurent është e pabazuar. Personat e tjerë të mbrojtjes së afërt të shefit të EULEX-it që janë larguar nga ky njësit, sipas Krasniqit, do të vazhdojnë punën si shoferë në misionin EULEX.

Stefan Loren, ose shkurt Leo, është emri i pjesëtarit të EULEX-it që për një kohë të gjatë ka terrorizuar stafin vendor të këtij misioni. Në raportin e ankesës për të thuhet se Leo ka thënë se “është kënaqësi që me flamurin shqiptar të fshijë prapanicën dhe se Kosova është vend i mirë për ta pshurrur”.

Ai u ka thënë punëtorëve lokalë se “ju shqiptarët jeni të marrë, se nuk keni shtet dhe se Serbia nuk do të lëshojë kurrë Kosovën”.

NOA

KOMENTE