Tiranë, 17 qershor 2011, NOA- Sipas MeteoAlb, qarkullimi i masave ajrore nga veriu i Afrikës do të kushtëzojë në vendin tonë mot të kthjellët dhe temperatura të larta. Që në orët e para të ditës i gjithë vendi do të dominohet nga moti i kthjellët por në mesditë do të ketë kalime vranësirash të lehta në zonat malore të Shqipërisë.
Pjesa e dytë e ditës do të vijojë me mot të kthjellët në zonat e ulëta dhe bregdetare ndërsa në zonat malore parashikohen shtim i vranësirave të cilat do të gjenerojnë rrebeshe shiu afat-shkurtër. Zonat më të nxehta për shkak të rritjes së ndjeshme të temperaturave do të jenë ultësira perëndimore. Edhe në kryeqytet termometri do të ngjitet deri në 31 gradë celcius. Në kushtet e stabilitetit atmosferik do të mbetemi gjatë natës dhe mëngjesin e së dielës.
Temperaturat e ajrit do të qëndrojnë konstante në vlerat e mëngjesit ndërsa mesdita do të sjellë një rritje të lehtë të temperaturave në të gjithë vendin.
Era do të fryjë e lehtë si në tokë dhe në det me shpejtësi 18 km/h nga drejtim Perëndimor, kjo ka bërë që dallgëzimi në det të jetë i ulët.
Europa
Nesër, Europa Veriperëndimore dhe Europa Qendrore do të mbeten me kushte të paqëndrueshme atmosferike pasi vranësirat dhe shirat do të dominojnë në këto vende. Shira më të dendur do të bien në vendet e Balltikut dhe në Ishujt Britanike. Gjithashtu me vranësira dhe shira do të mbetet një pjesë e Europës juglindore si edhe zona e Alpeve ku shirat do të shoqërohen me stuhi të forta ere. Ndërsa Europa jugperëndimore, Rajoni i Mesdheut, gadishulli i Ballkanit dhe Europa Lindore do të karakterizohen nga moti i kthjellët dhe temperaturat e larta.
Ngjarje ekstreme në Europë:
- Zona e Alpeve rrezikohet nga vranësira dhe shira
- Balltiku alarmon stuhi të forta ere dhe shira
- Ishujt Britanike do të mbeten me shira intensiv
a.y/NOA