Nga Filip H. Gordon
Për herë të parë e kam vizituar Sarajevën në vitin 1994, kohë kur Bosnje-Hercegovina ishte akoma e mbërthyer nga lufta e tmerrshme që do të merrte jetët e 100 000 njerëzve dhe do të shpërngulte miliona të tjerë. Nuk është nevoja t’iu kujtoj këtyre dëgjuesve tmerret që ndodhën gjatë atyre viteve të errëta apo gjithë punën e madhe që kanë bërë boshnjakët që atëherë për ta rindërtuar këtë vend. Shtetet e Bashkuara dhe NATO, në veçanti, bënë investim gjigant për paqen dhe stabilitetin në Bosnjë-Hercegovinë. Dhe me ndihmën tonë, por më tepër si rezultat i përpjekjeve tuaja, Bosnjë-Hercegovina ka ecur shumë që atëherë.Ndihmës Sekretar, Byroja e Çështjeve Evropiane dhe Euro-Aziatike
Për Shtetet e Bashkuara, angazhimi ynë për Bosnje-Hercegovinën është pjesë e rëndësishme e përkushtimit tonë të vjetër për një Evropë që është e plotë, e lirë, demokratike dhe në paqe. Kemi besim të thellë në idenë se e gjithë Evropa duhet të bashkohet me institucionet Euro-Atlantike dhe të kuptojë përfitimet që vijnë nga stabiliteti dhe mirëqenia. Ballkani është pjesë vendimtare e Evropës – nga ana historike, gjeografike e kulturore dhe e ardhmja e tij është në institucionet Euro-Atlantike. Shtetet e Bashkuara do të mbështesin gjithmonë derën e hapur drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s dhe ne do të jemi gjithmonë gati për të ndihmuar vendet të kalojnë përmes asaj dere.
Si pjesë e këtij angazhimi, ne krenohemi me atë çka kemi bërë me popullin boshnjak dhe për të. Dhe angazhimi ynë vazhdon me Administratën e Obamës, siç tregohet gjithashtu nga vëmendja e qëndrueshme diplomatike që merr Bosnje-Hercegovina. Zëvendës-presidenti Baiden (Biden) erdhi këtu në një prej udhëtimeve të tij të para si Zëvendës-president, në maj të vitit 2009; Sekretarja e Shtetit Klinton (Clinton) udhëtoi për këtu tetorin e vitit të kaluar, dhe Zëvendës Sekretari i Shtetit Xhim Stainberg (Jim Steinberg) e ka vizituar këtë vend gjashtë herë gjatë mandatit të tij, më shumë se çdo vend tjetër në botë me përjashtim të Japonisë. Kongresi ka gjithashtu interes të madh për zhvillimet këtu, siç e dëshmojnë dhe vizitat e delegacioneve të shpeshta kongresionale në Sarajevë. Shumë zyrtarë në këtë administratë kanë lidhje të thellë personale me Bosnjën. Identitetet tona profesionale, të kuptuarit e diplomacisë ndërkombëtare, si edhe karrierat tona u farkëtuan në kudhrën e Luftës së Ballkanit të viteve 1990. Me kalimin e viteve, Shtetet e Bashkuara kanë dërguar dhjetëra mijëra ushtarë amerikanë dhe diplomatë për të vendosur dhe ruajtur paqen. Kemi investuar afërsisht 1.5 miliardë dollarë për të ndihmuar në rindërtimin, fuqizimin e institucioneve publike, nxitjen e arsimimit më të mirë dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik. Japim 300 milionë dollarë në vit për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor të përmbushin kërkesat e BE-së dhe NATO-s. Kemi investuar thellësisht e personalisht në popullin e Bosnje-Hercegovinës.
Shkurtimisht, kemi qenë miqtë tuaj. Dhe miqtë ndonjëherë duhet t’i flasin njëri-tjetrit troç. Bosnje-Hercegovina ka përparuar shumë që nga tmerret e viteve 1990-të. Por, katër apo pesë vitet e fundit, ajo nuk ka ecur në drejtimin e duhur. Ka pasur rritje të rrezikshme të retorikës nacionaliste. Institucionet e shtetit dhe marrëveshja e Dejtonit janë sfiduar në mënyrë të pacipë. Ka pasur përpjekje për të kthyer prapa reformat që janë të domosdoshme për Bosnje-Hercegovinën që të bëhet pjesë e BE-së dhe e NATO-s. Në përgjithësi, politikanët boshnjakë kanë qenë tejet të gatshëm për të ushqyer frikërat etnike dhe për të privilegjuar interesat e tyre personale politike mbi nevojat e popullit që supozohet se duhet të përfaqësojnë.
Nëse kjo nuk ndalon – e përsëris që u detyrohem miqve të mi këtu që të flas hapur – atëherë Bosnja rrezikon të mbetet prapa, ndërkohë që pjesa tjetër e rajonit ecën përpara.
Mund ta shohim tashmë këtë tek ndodh. Me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, shumë shtete në këtë rajon po përparojnë njëtrajtësisht: Sllovenia u pjesë e BE-së në vitin 2004; Shqipëria dhe Kroacia hynë në NATO në vitin 2009; kandidimi i Kroacisë për në BE po përparon në mënyrë të rregullt, duke vijuar rekomandimin favorizues të Komisionit Evropian pikërisht javën e shkuar. Maqedonia do të bëhet pjesë e NATO-s sapo të zgjidhet diskutimi i emrit të saj. Kosova festoi së fundmi vitin e 3-të të pavarësisë së saj dhe vazhdon të përparojë si demokraci shumetnike. Mali i Zi, vetëm pesë vite pas pavarësisë, ka marrë statusin e kandidatit për në BE dhe është pjesëmarrës i plotë në Planin e Veprimit të Anëtarësimit në NATO. Serbia ka aplikuar për status kandidat në BE dhe po përparon drejt kësaj rruge, duke përfshirë arrestimin kohët e fundit dhe ekstradimin e Ratko Mlladiçit.
Sigurisht që të gjitha këto vende kanë akoma shumë punë për të bërë për të realizuar aspiratat e tyre: Serbia dhe Kosova në veçanti duhet të përparojnë në dialogun mes tyre dhe të punojnë në mënyrë krijuese për të zgjidhur ndryshimet mes tyre përpara se të ecin më tej në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Përgjatë gjithë Ballkanit, njerëzit janë të lirë nga dhuna, por shpesh nuk kanë punë. Urrejtjet janë zbutur, por vazhdojnë ndjenjat e nacionalizmit dhe të paragjykimit.
Kështu Bosnja nuk është vendi i vetëm në rajon që përballet me sfida të mëdha. Por, ndërsa vendet e tjera në rajon po ia dalin të ecin përpara, pavarësisht ngurrimeve, në përpjekjet e tyre për të hyrë në Evropë – Bosnje-Hercegovina nuk po ia del.
Për t’u kthyer në rrugën e duhur, Bosnjës i duhet të jetë në gjendje të funksionojë si shtet që ofron rezultate për të gjithë shtetasit e saj. Nevojiten reforma për reforma, por ato nevojiten gjithashtu për të përmbushur kërkesat e BE-së dhe detyrimet ndërkombëtare të vendit. Vetëm integrimi më i madh drejt Evropës do t’i siguronte stabilitetin dhe mundësinë që populli i Bosnje-Hercegovinës dëshiron për fëmijët e tij. Udhëheqësit e Bosnjës në mënyrë të veçantë duhet të bëjnë përparim në tri fusha: formimin e qeverisë, respektimin e institucioneve të shtetit dhe Kuadrit Dejton, dhe reformën qeveritare.
Formimi i Qeverisë
E para është formimi i qeverisë së vendit. Kanë kaluar tetë muaj që nga zgjedhjet dhe ky vend nuk ka akoma qeveri të vendit. Pa qeveri me bazë koalicionin e gjerë, Bosnja nuk mund të marrë vendimet e domosdoshme për të ecur përpara me axhendën e reformave Euro-Atlantike. Përpjekjet në parlament për të nisur procesin e emërimit të Shefit të Këshillit të Ministrave janë një hap në drejtimin e duhur. Por, është zhgënjyese që nuk kemi parë ende një nismë serioze nga drejtues të partive politike për të formuar koalicionin qeverisës.
Nuk ka kohë për të humbur. Nëse nuk formohet së shpejti një qeveri, pasojat ekonomike do të ndjehen gjithandej. Tashmë Moody e ka zhvlerësuar normën e kreditit të vendit nga “i qëndrueshëm” në “negativ” si rezultat i ngërçit. Shpenzimet në deficit do të çojnë në mungesë buxheti në të dyja njësitë në vazhdim të këtij viti, por FMN-ja dhe institucionet financiare ndërkombëtare të tjera e kanë bërë të qartë se Bosnje-Hercegovina nuk do të mund të marrë më hua shtesë derisa të ketë qeveri të re në vend. Pensionistët, veteranët dhe grupe të tjera të prekshme, përfitimet e të cilëve kanë marrë tashmë goditje, do të përjetojnë ulje më të thella.
Në çdo ditë që kalon pa qeveri, Bosnje-Hercegovina ngelet gjithmonë e më shumë mbrapa fqinjëve të saj dhe rrit rrezikun që Bosnje-Hercegovina të dalë nga rruga drejt Evropës. Në këtë kontekst, është e papërgjegjshme për cilëndo parti që bllokon formimin e qeverisë bazuar në kërkesa maksimaliste, qofshin këto pretendime për një numër të caktuar postesh në Këshillin e Ministrave apo emërime të caktuara ministrash. Gjithçka duhet përgatitur me kompromis. Ata që refuzojnë të bëjnë kompromis po luajnë në duart e atyre që kërkojnë të dëmtojnë kapacitetin e Bosnje-Hercegovinës për të funksionuar si shtet. Sot pasdite do të takohem me disa prej drejtuesve kryesorë të partive politike dhe pres me padurim të dëgjoj prej tyre ide konstruktive se si të formohet një qeveri qendrore në një të ardhme shumë të afërt.
Përgjegjësia për të formuar një qeveri që mund të çojë përpara mirëqenien e shtetasve të Bosnje-Hercegovinës duhet të kapërcejë çfarëdo shqetësimi vetjak apo politik.
Respekti për Institucionet Shtetërore dhe Kuadrin Dejton
Së dyti, politikanët e Bosnje-Hercegovinës duhet të tregojnë përkushtimin e tyre ndaj Kuadrit Dejton dhe gatishmërinë e tyre për të vepruar në përputhje me vendimet e institucioneve të shtetit.
Ashtu si anëtarët e tjerë të komunitetit ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara kanë riafirmuar në mënyrë të përsëritur mbështetjen tonë për Kuadrin Dejton – një shtet, dy njësi energjike, tre popuj përbërës – për të siguruar të gjithë popujt e vendit se e ardhmja e tyre është e sigurt brenda territorit të Bosnje-Hercegovinës, dhe se qëllimi është të krijohet një vend më funksional - jo më i centralizuar – i aftë të përmbushë kërkesat për integrim në Evropë.
Janë bërë përpjekje të ngjashme për sigurim nga disa politikanë në Sarajevë, përfshirë Presidentin Bakir Izetbegovic, i cili ka bërë deklarata pajtuese dhe ka ofruar më shumë fleksibilitet në reformat kyçe të kërkuara nga NATO-ja dhe BE-ja. Në përgjigje të tij, të tjerët kanë thelluar retorikën separatiste dhe kanë kërkuar të shkatërrojnë institucionet shtetërore dhe Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë të Bosnje-Hercegovinës.
Një prej sfidave më të fundit të shtetit ishte vendimi i 13 prillit nga asambleja e RS-së për të bërë thirrje për referendum mbi vendimet e Përfaqësuesit të Lartë dhe mbi ligjshmërinë e Gjykatës së Bosnje-Hercegovinës dhe Prokurorisë. Vendimi i RS-së për t’u tërhequr nga referendumi ka parandaluar krizën e menjëhershme. Shpresoj se drejtuesit në Banja Luka do ta përdorin këtë mundësi për të rivlerësuar këtë qasje – sfidat e bëra nga asambleja e RS-së ndaj Kuadrit Dejton janë të papranueshme. Ato janë të papajtueshme me synimin e integrimit në Evropë. Udhëheqësit dhe njerëzit e RS-së duhet të vendosin nëse duan të kenë marrëdhënie me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën ose jo. Ata që mendojnë se mund të na sjellin vonesa ne dhe Aleatëve tanë në Bordin Drejtues të Këshillit të Zbatimit të Paqes e kanë gabim. Siç e kam bërë të qartë tashmë, Shtetet e Bashkuara kanë bërë investim domethënës si politik ashtu edhe personal këtu. Ne nuk do të heqim dorë nga Bosnje-Hercegovina dhe populli i saj.
Do të vazhdojmë të mbrojmë dhe forcojmë institucionet shtetërore ekzistuese, si Gjykata Shtetërore e Bosnje-Hercegovinës dhe Prokuroria, të cilat po bëjnë punë kritike për të luftuar terrorizmin, krimin e organizuar dhe për të sjellë kriminelët e luftës përpara drejtësisë; dhe Administratën Indirekte të Taksave, e cila ka siguruar burim të ardhurash për qeverinë e Bosnje-Hercegovinës. Do të vazhdojmë të nxisim reforma të mëtejshme, përfshirë ato të kushtetutës, që janë të domosdoshme për një shtet funksional dhe që Bosnje-Hercegovina të përmbushë kërkesat për pranim në BE. Dhe, ne do të jemi në mbështetje të Përfaqësuesit të Lartë dhe vendimeve të tij. Nuk do të lejojmë mbylljen e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë deri sa të jetë përfunduar axhenda e reformës së miratuar.
Mirëpresim gjithashtu vendosmërinë e BE-së për të luajtur rol drejtues në mbështetjen e ndryshimeve pozitive dhe në mbrojtjen kundër kërcënimeve të stabilitetit në Bosnje-Hercegovinë. Përfaqësuesja e Lartë i BE-së, Ashton, ka emëruar Peter Sorensen, diplomat i vjetër me 15 vite përvojë në Ballkan, për të drejtuar këtë përpjekje të BE-së. Siç shkroi javën e shkuar Sekretarja Klinton, në një artikull me bashkautor Sekretarin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Hague, Shtetet e Bashkuara “do të jenë mbështetëse të forta të Ambasadorit Sorensen, duke përdorur gjithë mjetet e ndershme për të arritur përparim, duke punuar në marrëdhënie të ngushtë me Këshillin e Zbatimit të Paqes dhe Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë.”
Dhe do të jemi të përgatitur për të marrë masa kundër cilitdo individ dhe organizate që kërcënon të shkatërrojë stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje-Hercegovinës. Gjithë nivelet e qeverisë në Bosnje duhet të pranojnë dhe respektojnë Dejtonin.
Reforma Qeveritare
Së fundmi, Bosnje-Hercegovina duhet të ecë përpara me reformat qeveritare të domosdoshme për integrimin në NATO dhe në BE.
E ardhmja e Bosnje-Hercegovinës shtrihet në integritetin e saj në Evropë, më saktë në anëtarësinë në NATO dhe në BE. Sapo të formohet qeveria qendrore, presim që Bosnje-Hercegovina të ecë shpejt përpara në zgjidhjen e çështjes së pronës së mbrojtjes në mënyrë që të marrë pjesë në Planin e Veprimit për Anëtarësim në NATO. BE-ja e ka bërë të qartë që Bosnje-Hercegovina duhet të ndërmarrë tri hapa që të mund të merret parasysh për statusin kandidate: të përcaktojë një proces serioz për ndryshimin e kushtetutës që të përshtatë vendimin Sejdic-Finci, të veprojë me dispozitat për ndihmë shtetërore dhe të bëjë regjistrim të përgjithshëm të popullsisë. Gjithashtu, Bosnje-Hercegovina ka nevojë për një qeveri vendore funksionale që të ketë pushtetin të angazhohet në mënyrë efikase me Brukselin dhe të marrë pjesë efektshëm në procesin e hyrjes në BE.
Jemi të bindur se kjo është e mundur duke mbrojtur dhe ruajtur strukturat qeveritare të decentralizuara të themeluara nga kushtetuta Dejton.
Por, nevojitet reformë, edhe në kushtetutë. Ndryshimi më i menjëhershëm që nevojitet të bëhet për të vepruar në përputhje me standardet themelore të të drejtave të njeriut të BE-së është vijimi i vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për çështjen Sejdic-Finci. Dhe do të duhet të bëhen ndryshime të tjera në afat të gjatë për të siguruar që shteti ka funksionalitet të mjaftueshëm dhe kapacitet vendim-marrës në përputhje me standardet e NATO-s dhe të BE-së. Megjithëse procesi i hyrjes në BE do të jetë i vështirë, është e vetmja alternativë e mundshme për këtë vend. Kërcënimet për të braktisur procesin apo për të mos marrë pjesë janë të papajtueshme me nevojat e popullit.
Reforma është gjithashtu e detyrueshme për njësitë. Federata ka më shumë qeveri se sa mund ta përballojë. Vitet e keq menaxhimit, korrupsionit dhe luftës së brendshme politike nga qeverisja e mëparshme e kanë përkeqësuar problemin. Vitin e kaluar qeverisë iu desh të merrte masa të rrepta emergjence thjesht për të shmangur falimentimin dhe qeveria e re e Federatës akoma përballet me probleme serioze fondesh. Raporti më i fundit i përparimit bërë nga BE-ja e veçoi Federatën si të papajtueshme me kriteret e pranimit në BE.
Qeveria e re e Federatës ka bërë një fillim të mirë. Ka një mundësi të re për të ecur përpara me privatizimet, të cilat janë zvarritur prej vitesh si pasojë e korrupsionit dhe luftës së brendshme politike, siç ka edhe në reformat e arsimit dhe ekonomisë.
Na vjen keq që partitë HDZ refuzuan kompromisin që do t’i përfshinte ato në koalicion. Asnjë parti politike nuk mund të pretendojë të drejtën ekskluzive për të përfaqësuar një grup të tërë etnik.
Por, njohim gjithashtu shqetësimin e atyre shtetasve që ndjehen se qeveria e re nuk përmban përfaqësues të zgjedhur prej tyre apo që të jenë të përkushtuar të përfaqësojnë interesat e tyre. Qeverisë së re i del si detyrë të tregojë se vepron në interes të gjithë shtetasve të njësisë. Është e vetëkuptueshme se kroatët e Bosnjës, si më të paktët në numër nga të tre popujt përbërës të Bosnje-Hercegovinës, janë të shqetësuar për statusin e tyre brenda Federatës. Por, është jo realiste të ripërcaktohen kufij të rinj të brendshëm për të shtuar një njësi të re apo shtresa të tjera ndërlikimi në një qeveri që është tashmë e mbindërlikuar. I mirëpresim hapat e kohëve të fundit nga partitë HDZ për të marrë pjesë aktivisht në parlamentin e Federatës.
Republika Srpska përballet me sfidat e veta serioze në ekonomi. Kjo njësi ka sosur gjithë rezervat e veta nga privatizimi i Telekom RS dhe rafinerisë së naftës dhe tani përballet me një deficit prej 500 milionë dollarësh. Vitin e kaluar ekonomia e RS-së u rrit me një përqindje të dobët prej 1 përqind. As parashikimi për këtë vit nuk është shumë më i mirë. Retorika provokuese politike dhe sulmet ndaj pavarësisë së gjyqësorit po përzënë investimet e huaja, të cilat janë një e dhjeta e çka ishin vetëm tri vite më parë. Republika Srspka do të ishte më mirë nëse drejtuesit e saj do të përqendroheshin më shumë në përmirësimin e ekonomisë dhe duke u shërbyer kështu nevojave të shtetasve e jo nxitjes së ndasive brenda vendit. Një hap pozitiv do të ishte diskutimi me Federatën për mënyra për të harmonizuar rregullat e tyre dhe për të nxitur bashkëpunimin ekonomik ndër njësi.
Rruga për në Evropë
Këto hapa së bashku përbëjnë rrugën drejt Evropës. Nëse politikanët e Bosnje-Hercegovinës bëjnë zgjedhjet dhe kompromiset e nevojshme, ne do t’iu gjendemi pranë për t’ju ndihmuar me burime dhe mbështetje politike. Siç e tha Sekretarja Klinton këtu në tetor: “Lidhjet midis Bosnje-Hercegovinës me Shtetet e Bashkuara janë farkëtuar përmes provave të ashpra dhe triumfeve historike dhe sot ne mbetemi të përkushtuar.”
Por, duhet të kuptoni se përkushtimi ynë nuk do të thotë asgjë nëse Bosnje-Hercegovina nuk mund ta përmbledhë vullnetin për ta ndihmuar veten. Jemi gati për të dhënë këshilla, për të ndihmuar e mbështetur, por nuk mund ta bëjmë këtë vetëm. Kemi nevojë për partnerë që kanë të njëjtin vizion dhe që janë të përgatitur për të bërë kompromis për një të mirë më të madhe.
Populli i Bosnje-Hercegovinës meriton më mirë; ai meriton një të ardhme Euro-Atlantike. Të rinjtë e këtij vendi, në veçanti, dëshirojnë dhe meritojnë të bashkohen me rrjedhën evropiane, të udhëtojnë dhe të punojnë jashtë shtetit dhe të shfrytëzojnë gjithçka që ofron bota moderne. Ka aktorë kurajozë në këtë vend, shumë prej të cilëve janë përfaqësuar në këtë konferencë, të cilët e kuptojnë se ç’duhet bërë. Secili prej jush ka përgjegjësinë të punojë në interes të gjithë bosnje-hercegovina-sve, të punojë përtej linjave etnike dhe të shmang ushqyerjen e frikërave etnike. Kemi besim se duke bërë kështu, ju mund t’i kapërceni ndasitë tuaja dhe të ndërtoni një shtet evropian, pikërisht siç kanë bërë shumë evropianë të tjerë përpara jush.
Askush nuk mund ta bëjë këtë për ju. Por, unë mund t’ju them se nëse ju përpiqeni, Shtetet e Bashkuara do të jenë me ju në çdo hap përgjatë rrugës.
* Fjalim Kryesor në Konferencën: “Ballkani Perëndimor: Progres, Amulli apo Regres?” në Hotel Evropa, Sarajevë, Bosnje-Hercegovinë - 14 qershor 2011