English

Presidenti që (nuk)duam

Nga Armand Shkullaku

Profili i ulët i presidentes Atifete Jahjaga nuk po e shpëton atë nga vendosja në qendër të vëmendjes së opinionit publik me rast e pa rast. Në një mënyrë të çuditshme, herë nga mania për t’u marrë me funksionet e larta shtetërore e herë nga nevoja për të prodhuar ndonjë lajm, mediat po hapin një çështje që në thelb nuk ekziston dhe do të ishte mirë të mos ekzistonte. Nga kryetarja e shtetit po kërkohet që të dalë sa më shumë në publik dhe të japë komentet e saj për çdo ngjarje. Presidenca po cilësohet si e mbyllur dhe jo aktive. Roli i presidentes Jahjaga një herë vlerësohet e një herë kritikohet apo ridikulizohet. Paraqitja e saj në takimet e nivelit të lartë dhe mesazhet në ato takime vlerësohen kur është rasti të bëhet kontrasti me pozitën e kryeministrit Thaçi, por kritikohen kur bëhet fjalë për personalitetin e Presidentes. Së fundi, një lloj tentative e pakuptimtë për ta përfshirë kryetaren e shtetit në lojërat e vogla politike, gjithashtu po vihet re. Komentet e dyshimta për stafin e saj, diversioni se Ekzekutivi po e mban larg nga çështjet e rëndësishme si bisedimet, politika e jashtme apo ajo e sigurisë, mund të prodhojnë një situatë tensioni të panevojshme dhe që në realitet nuk ekziston. Ky presion, më së shumti mediatik, nuk është çudi që ta kompleksojë Presidencën dhe për pasojë të kemi reagime të nxituara, që ndonjëherë çojnë edhe në përplasje mes institucioneve. Shembujt kanë dëshmuar se ndjenja e të mënjanuarit apo mania për protagonizëm te shqiptarët, shpesh ka prodhuar konflikte absurde në dëm të institucioneve dhe interesave më të mëdha. Presidentja e re e Kosovës duhet lënë e qetë të ushtrojë detyrën e saj si garante e Kushtetutës dhe simbol i unitetit të kombit. Ajo nuk është pjesë e Ekzekutivit apo e shoqërisë civile që të komentojë e të japë opinione për çdo gjë, fjala vjen për hetimet e EULEX-it apo përbërjen e qeverisë. Është pak e çuditshme se si nuk gjendet një ekuilibër në vlerësimin që ne kemi për figurat publike. Kur kemi një president aktiv, që flet për çdo gjë e gjithçka, që përcillet nga kamerat kudo, në Veri, në shtëpitë e qytetarëve, në vizita shtetërore etj., e që për pasojë prodhon edhe situata kontradiktore, si për shembull rasti “Pacolli”, diçka e tillë na shqetëson. Por edhe në rastin e një presidenti më të përmbajtur, si Sejdiu, veprimet e tij shpesh kanë hapur debate mospajtuese mes palëve. Presidentja Jahjaga, ndoshta u përzgjodh me një profil të ulët publik, pa interesa të dallueshme politike dhe nga një institucion i depolitizuar, pikërisht për të shmangur keqkuptimet dhe shndërrimin e institucionit të Presidencës në një qendër që prodhon politikë. E tani, në këtë situatë të re, prej saj po kërkohet e kundërta, ajo për të cilën janë kritikuar paraardhësit: protagonizmi. Me sa duket, në Kosovë, por edhe në Shqipëri, ende nuk është zgjidhur dilema mes individit dhe institucionit. Kur në krye të një institucioni kemi një individ normal, pa mani të protagonizmit dhe tendenca të kapërcimit të kompetencave, ai shihet me dyshim dhe trajtohet si i pafuqishëm e, për rrjedhojë, paragjykohet si i tillë dhe institucioni që ai drejton, pra si më i dobët në raport me pushtetet e tjera. Vlerësimi për institucionin bëhet nisur nga profili i drejtuesit të tij. Në fakt, Presidenca e Kosovës sot, del apo jo në publik presidentja Jahjaga, nuk është me e dobët se institucionet e tjera dhe as nuk është garë me to për të matur rëndësinë. Presidenti në një republikë parlamentare i ka kompetencat e kufizuara dhe, mbi të gjitha, shërben si nocion i unifikimit dhe i besimit te shteti. Presidenti del shumë rrallë në publik, ai i drejtohet kombit në raste tepër specifike, siç janë krizat e ndryshme, momentet e vështira apo përplasjet sociale. Mesazhet e tij shërbejnë që njerëzit të rigjejnë besimin te shteti i tyre, të marrin forcë dhe shpresë për të përballuar çaste të rënda me të cilat i përball historia apo rrethanat e zhvillimit. Kjo ndodh me republikat parlamentare, ku përgjegjësitë direkte dhe detyrimin për t’i informuar në çdo kohë qytetarët e ka shumica, e cila ngarkohet prej tyre për t’i administruar çdo 4 vjet në bazë të performancës që realizojnë. Edhe afati 5-vjeçar i mandatit presidencial tregon pikërisht se ai nuk lidhet me suksesin ose jo të Ekzekutivit ose një legjislature, por është përtej atyre. Ndryshon çështja në republikat presidenciale. Duke kërkuar protagonizëm nga Presidentja e re e Kosovës, rrezikojmë përzierje të kompetencave dhe një përplasje institucionale të padobishme. Presioni në këtë drejtim mund ta kompleksojë Presidencën për t’u ndjerë “e rëndësishme” dhe për ta çuar drejt një matjeje forcash të padobishme me pushtete të tjera krejtësisht të ndara. Nga një simbol uniteti dhe garancie mbi palët, ky institucion mund të përfundojë të përdoret nga një forcë politike në dëm të tjetrës. Veçanërisht në momentin kur një komision parlamentar ka marrë përsipër ndryshimet kushtetuese që përfshijnë zgjedhjen e Presidentit nga populli, një diskutim i tillë bëhet delikat. Aq delikat, sa duhet rishikuar nëse për shoqërinë shqiptare në përgjithësi është e vlefshme zgjedhja direkte. Në një rast të tillë dhe duke pasur parasysh kontekstin vazhdimisht të nxehtë politik, mund të kishim një tjetër qendër pushteti që do të prodhonte përplasje institucionale. Në Shqipëri kjo përplasje shkoi aq larg (megjithëse Presidenti u zgjodh brenda llojit nga Parlamenti), sa Kryeministri akuzoi kreun e vendit për grusht shteti. Kjo nuk lidhet vetëm me karakterin konfliktual të Sali Berishës, por edhe me mentalitetin e përgjithshëm që është mësuar të vlerësojë forcën e individit si forcë edhe të institucionit. Prandaj Atifete Jahjaga duhet lënë e qetë të ushtrojë mandatin e saj pa pasur nevojë ta shohim çdo ditë në ekranet e televizioneve dhe pa vendosur si kriter të matjes së punës së saj “rëndësinë” në raport me pushtetet e tjera. Është një shans për të mësuar si të sillet Presidenti i radhës, i cili po u zgjodh nga populli, do ta ketë të vështirë të bëjë të kundërt, të heqë dorë nga mania e protagonizmit.

KOMENTE