Tiranë, 17 qershor 2011 NOA - Këngëtarja Rezarta Shkurta e cila do të përballet së shpejti me togat e zeza, do të ketë në disfavorin e saj edhe deklarimet e dy kolegëve të tjerë, Sinan Hoxhës dhe Valbona Memës.
Dëshmitë e dy këngëtarëve janë bashkangjitur në fashikullin e dosjes hetimore që i është përcjellë gjykatës për shqyrtim.
Ndërkaq, prova më e fortë ku është bazuar prokuroria për të ngritur akuzën ndaj Rezarta Shkurtës, atë të dëmtimit fizik në dëm të këngëtares Rozana Radi, është ekspertimi mjeko-ligjor. Burime pranë Prokurorisë së Tiranës, pohuan sot se, ka përfunduar hetimi ndaj këngëtares që u mor e pandehur në fund të muajit të kaluar për veprën penale të “dëmtimeve të tjera” me dashje. Nga të njëjtat burime mësohet se gjatë dhënies së deklarimeve në cilësinë e personit që ka dijeni mbi ngjarjen, dy këngëtarët Sinan Hoxha dhe Valbona Mema kanë pohuar se kishin vërejtur shenja të zeza e dëmtime në fytyrën e Rozanës.
Ata kanë shpjeguar se kanë shkuar për vizitë tek shtëpia e Radit, dhe kur e kanë parë që në fytyrën e saj gjendeshin shenja të zeza, e kanë pyetur se çfarë kishte ndodhur. Mema dhe Hoxha kanë shpjeguar para prokurorit të çështjes, Ervin Karanxha se shenjat e dhunës ishin evidente. Nga ana tjetër mësohet se dëshmitë e tyre lidhur me vendndodhjen e shenjave të zeza në fytyrën e Radit, kanë qenë të e përputhura edhe me përcaktimin e bërë në ekspertimin mjeko-ligjor. Sipas këtij ekspertimi, Radi rezultonte të ishte e paaftë për punë për më shumë se nëntë ditë për shkak të dëmeve fizike të marra nga goditjet me grushte e shkelma prej këngëtares Rezarta Shkurta.
Në cilësinë e dëshmitarit i janë marrë deklarimet edhe bashkëshortit të Shkurtës, nipit të ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermalit.
Nga burimet e prokurorisë mësohet se ky i fundit është shprehur se ka qenë Rozana Radi ajo që ka kërkuar takimin dhe ka filluar sherrin. Sherri mes dy këngëtarëve lindi në një reality show në Kosovë dhe më pas përfundoi në sherr, ku Rezarta akuzohet se e ka goditur me grushte e shkelma Rozanën.