English

Vdekja e 15 kosovarëve, gjykata jep 66 vjet burg për përgjegjësit

Prishtinë, 17 qershor 2011 NOA- Gjykata e Qarkut e Prishtinës ka dënuar me 66 vjet burg 7 personat e përfshirë në hetimet për rastin e lumit Tisa. Rasti ka të bëjë me vdekjen e 15 migrantëve kosovarë, në kufirin në mes të Hungarisë dhe Serbisë, kur ata tentonin të kalonin ilegalisht në vendet e BE-së. Akuzat kundër shtatë, tashmë të dënuarve, siç njofton zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, kanë të bëjnë me krim të organizuar, trafikim të migrantëve, ndërsa rasti, sipas Krasniqit, e “ka zbuluar një grup të krimit të organizuar që ju ofronte migrantëve kalim ilegal në BE dhe vende të tjera të Evropës, duke bërë përfitime të mëdha ilegale”. Pjesë e dënimit, përpos burgosjes, është edhe dënimi me para në vlerë prej 450 mijë eurosh. Paneli i gjykatsëve përbëhej nga dy gjykatës të EULEX-it dhe një gjykatës kosovar. Misioni evropian për sundim të ligjit, ka publikuar edhe listën e personave të dënuar të premten, e të cilët janë: Avni Hajdari shpallet fajtor për krim të organizuar dhe kontrabandë të imigrantëve – gjyqi e dënoi me 19 vjet burgim dhe me një gjobë prej 250.000 eurosh; Shpejtim Ademaj shpallet fajtor për krim të organizuar dhe kontrabandë të imigrantëve – gjyqi e dënoi me 17 vjet burgim dhe me një gjobë prej 200.000 eurosh; Ismail Krapi dhe Shaip Selmani shpallen fajtorë për krim të organizuar – gjyqi i dënoi të dy me nga 8 vjet burgim. Fatmir Pajaziti shpallet fajtor për kontrabandë të imigrantëve – gjyqi e dënoi me 7 vjet burgim. Blerim Ademaj shpallet fajtor për kontrabandë të imigrantëve – gjyqi e dënoi atë me 5 vjet burgim. Xhemajl Halilaj shpallet fajtor për kontrabandë të imigrantëve – gjyqi e dënoi atë me 2 vjet burgim. Dënimi është pezulluar dhe nuk do të zbatohet, me kusht që ai të mos kryejë ndonjë vepër penale për tre vjetët e ardhshëm. Rabit Ajvazi shpallet i pafajshëm lidhur me akuzat e ngritura kundër tij. a.q/NOA

KOMENTE