English

Vlera e vetme e vendimit të Kolegjit

Nga Mero Baze

Kolegji Zgjedhor ka zbardhur më në fund vendimin me qetësi. Nga zbardhja e këtij vendimi del qartë skema e manipulimit të zgjedhjeve, të cilën e tradhtojnë dy detaje: nxjerrja e rezultatit me hapjen e vetëm 117 kutive dhe me futjen nga jashtë kutive të 81 fletëve të votimit për Lulëzim Bashën.

Detaji i parë, ai i nxjerrjes së rezultatit vetëm në rishqyrtim të 117 kutive nga 480 gjithsej prek integritetin e procesit dhe është i ndërlidhur me detajin më të rëndësishëm të këtij manipulimi, me faktin që mbasditen e 14 majit, ndërsa Edi Rama u shpall fitues, në kutitë e votimit të minibashkive janë futur 81 fletë “të hedhura gabim” për Lulëzim Bashën. Vendimi i zbardhur i Kolegjit, i cili duket se ka ndryshim me vendimin e shqiptuar nën presion dhe me nxitim ditën që u shpall, na jep shans ta provojmë këtë skemë manipulimi.

Si mund të provohet kjo?

Shumë e thjeshtë. Rezultati për kryetarin e Bashkisë së Tiranës del nga numërimi i fletëve të votimit në kutinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Nëse në 480 kutitë për kryetarin e Bashkisë së Tiranës do të ishin fjala vjen 250 mijë vota, por duheshin 250 080, atëherë pas kësaj ne kemi të drejtë të kërkojmë për 80 vota të hedhura në kuti të gabuara. Por nëse për kryetarin e Bashkisë së Tiranës kanë votuar 250 mijë vetë dhe në ato kuti gjenden 250 mijë vota, atëherë jemi para situatës që askush nuk ka votuar në kutinë e gabuar dhe fletët e gjetura pas mbylljes së këtij numërimi janë fletë të futura në kuti, për të cilat personat përgjegjës duhet të shkojnë para drejtësisë. Pra, i gjithë procesi i shqyrtimit duhet të nisë nga hetimi i fletëve të votimit që janë në 480 kutitë për kryetarin e Bashkisë. Hetimi duhet të nisë këtu. Nëse në ato kuti mungojnë “X” fletë, atëherë kjo është shifra për të cilën do të kërkohet për fletë të hedhura gabim në kutitë e tjera. Siç e shpjegonte në gjuhë më popullore Shpëtim Nazarko, nëse dikush të vjedh dyqanin, njëherë duhet të bësh inventarin e mallit dhe do t’i kërkosh policisë aq mall sa të ka humbur. Në rastin konkret ka ndodhur që i zoti i dyqanit, Sali Berisha, duke ditur që s’ka pasur mall brenda, ka mbledhur mall më shumë se sa mungon në ato kuti votimi dhe këtu kemi të bëjmë me mospërputhshmëri inventari, e cila minimumi na çon në rivotim për shkak të pavlefshmërisë së procesit.

Pra, që të mos ketë më spekulime me thelbin e problemit, dhe meqë kriza është shkaktuar për votat e kryetarit të bashkisë, gjëja e parë që duhet bërë është inventari i votave fizike në ato kuti. Diferenca e tyre duhet kërkuar në kutitë e tjera, siç kërkoi Ristani në 117 kuti. Nëse ato vota përputhen me votuesit, historia është e mbaruar dhe nuk vlen asgjë që është gjetur, pasi qenkan vota të hedhura pas rezultatit, që duhet të ndëshkohen me ligj. Nëse ka mungesa, por jo aq sa janë shtuar, sërish kemi me manipulim të procesit dhe duhet të shkojë në pavlefshmëri. I vetmi i humbur i madh i kësaj historie është Arben Ristani, i cili tentoi ta paraqesë procesin e rishqyrtimit si proces të shqyrtimit të votave të kontestuara, duke shmangur me vetëdije inventarin e votave për kryetar bashkie. Ky njeri, i cili ka prodhuar dhe ka konsumuar veprën e nxjerrjes së një rezultati që nuk është shumatore e votave të hedhura për kryetarin e bashkisë, duhet të ndiqet penalisht.

Zbardhja e vendimit të Kolegjit na jep mundësinë të kuptojmë se përpjekja e KQZ, Berishës dhe Bashës për ta konsideruar vendimin çështje votash të kontestuara, ka rënë, dhe është hapur loja më gjerë. Nga zbardhja e këtij vendimi ne kemi shansin të kuptojmë si janë shtuar 81 votat për Lulëzim Bashën, pikërisht nga mekanizmi i verifikimit të votave në kutinë e kryetarit të Bashkisë dhe si ka futur duart KQZ në proces duke i humbur integritetin, duke deformuar rezultatin me ndërhyrje të pjesshme atje ku kanë futur duart.

Zbardhja e këtij vendimi shihet qartë që bën të sigurt dy gjëra, ose zbardhjen e manipulimit për 81 votat duke bërë inventarin e kutisë së kryetarit, ose pavlefshmërinë e procesit, nëse nuk kemi përputhje shifrash mes votave të hedhura dhe numrit të votuesve për 480 qendrat. Në të dy rastet KQZ është kapur duke vjedhur dhe duhet të shkojë para drejtësisë.

* Dërguar nga autori, qëndrimet janë personale dhe nuk prezantojnë domosdoshmërisht vijën editoriale të NOA

KOMENTE