Tiranë, 18 qershor 2011, NOA – Pas mëse 30 minutash nga nisja e numërimit të votave të hedhura në kutitë e gabuara, kandidati i “Aleancës për qytetarin”Lulzim Basha është në avantazh me 84 vota më shumë se kandidati i “Aleancës për të Ardhmen” Edi Rama.
Gjatë hapjes së kutive të njësisë bashkiake 1, apo KZAZ-së nr. 45, përkatësisht 17/04, u gjetën dy vota të kontestuara për Lulzim Bashën, 1 votë për Edi Ramën dhe 1 fletë votimi rezultoi e pavlefshme.
Në kutinë 16/89/1, të KZAZ-së 45 u gjet një votë pro kandidatit të majtë Edi Rama.
Ndërkohë që numërimi vazhdon, çdo grup nga tetë të tillë të vendosur në sallën e KQZ-së, do të hapë katër kuti të çdo qendre votimi për të numëruar votat e hedhura në kutitë e gabuara.
Ndërkohë gjatë numërimit të kutisë me nr. 16/88, u gjet vetëm një fletë votimi e kontestuar, e cila i përkiste Këshillit Bashkiak, dhe ishte votë për kandidatin e Partisë Socialiste.
Nga 1940 kuti që ka bashkia e Tiranës do të numërohen 1793 kuti që i përkasin 368 qendrave të votimit në Tiranë, nga 485 qendra votimi që ka gjithsej bashkia e kryeqytetit.
Beteja e numrave për Tiranën vazhdon deri në numërimin e kutisë së fundit, ndërkohë që shifrat rriten apo ulen duke iu referuar shifrës 81 të vendimit të mëhershëm të KQZ-së, i shpallur i vlefshëm nga Kolegji Zgjedhor në datën 3 qershor, ku Lulzim Basha u shpall fitues me 81 vota kundrejt rivalit të tij Edi Rama.
mit/NOA