English

Greqi: Kabinet i ri me figura të reja dhe riciklim të ministrave

Athinë, 18 qershor 2011, NOA- Pas dështimit të përpjekjeve për krijimin e qeverisë së “shpëtimit kombëtar” dhe revoltës sociale në rritje, Papandreu shpalli kabinetin e tij të reformuar. Timonin e ministrisë së Financave e mori ish ministri i Mbrojtjes Venizellos, kurse shef i ri i diplomacisë u emërua eurodeputeti Stavros Llambrinidis.

Pas betimit të tij dje në mesditë filloi menjëherë nga puna kabineti i ri qeveritar i kryeministrit Papandreu i shpallur dje në mëngjes. Me rreth 43 ministra dhe zëvendësministra në përbërjen e tij, kabineti mbetet i zgjeruar dhe kryesisht riciklon të njëjtat figura në poste të reja. Zëvendësimi i ministrit të Financave Jorgos Papakonstandinu, që ishte bërë “beze e kuqe” në sytë e opinionit për masat shtrënguese, nga ish ministri i Mbrojtjes Evangjellos Venizellos, ithtar i një kursi më të butë, vlerësohet si ndryshimi kryesor i kabinetit të reformuar që do të negociojë me trojkën programin e ri të kursimeve.

Në postin e ministrit të jashtëm u emërua kreu i erodeputetëve socialistë Stavros Llambrinidis, kurse parardhësi i tij Dhimitris Drucas mbeti jashtë skemës qeveritare së bashku me ministren e mjedisit. Si novacion vlerësohet ngritja e minitrisë së Re të Reformimit Administrativ por edhe i Komisionit Qeveritar, si skemë më e zhdërvjelltë në vend të Këshillit të Ministrave. “Kjo qeveri do të jetë afatshkurtër pasi nuk mund të injorojë mesazhin e revoltës sociale që kërkon ndryshim kursi” deklaroi zëdhënësi i partisë së majtë Sinaspismos Panos Skurletis. Për qeveri me “mision të shkurtër që pas disa muajsh do të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme” u shpreh opozita e djathtë.

Punonjës të sektorit publik dhe privat dolën të mërkurën në grevë të përgjithshme kundër kursimeve shtesë prej 28 miliardë eurosh të programit 3-vjeçar të paraqitur për aprovim në parlament.

Votimi i programit, që do t'i sigurojë vendit kredinë shtesë prej mbi 100 miliardë eurosh dhe evitimin e falimentimit, vlerësohet si një sprovë e madhe për socialistët grekë që nuk mund të garantojnë as votën e deputetëve të tyre. Analistët e shohin programin si katalizatorin e ndryshimeve të thella të skenës politike të gjeneruara nga kriza e thellë që ka kapluar vendin.

Aprovimi i një programi të tillë nuk është aspak i lehtë për Papandreun, që ka përballë tij protestuesit dhe të revoltuarit e shesheve, krerët opozitarë që flasin për “rrugë të gabuar dhe pa krye” dhe deputetë të partisë së tij në krizë nervore nga presioni edhe i elektoratit të zonave të tyre për të votuar kundër. “Në qoftë se do ta durojmë tani dhimbjen, me masat korrigjuese të viteve të ardhshme të programit, jo vetëm do të kemi një Greqi tjetër por do të kemi zgjidhur dhe për brezat e ardhshëm problemin e madh të borxhit” është motoja e kryeministrit që duket i vendosur për të kaluar Rubikonin.

Konsensusin kombëtar mund ta ketë marrë lumi, por e keqja është se edhe vota e deputetëve të grupimit socialist në pushtet, që mjafton për të siguruar 151 votat e mundshme në seancën plenare të 28 qershorit, shfaqet si një eventualitet torturues për Papandreun dhe ekipin e tij. Një deputet u pavarësua dhe një tjetër deklaroi se do të votojë kundër.“Do shkojnë në votim të trembur, por do të thonë më në fund po. Deputetët deklarojnë se nuk janë dakord, se duan diçka tjetër, por e votuan vjet Memorandumin do ta votojnë edhe sivjet” i thotë Deutsche Welle-s gazetari dhe analisti i së përditshmes së madhe greke “Elefterotipia” Vangjelis Delipetros, i cili të keqen më të madhe e sheh ndërkohë tek “rruga pa krye” e masave shtrënguese që rrënojnë ekonominë dhe njerëzit dhe nuk sjellin rimëkëmbjen e premtuar të ekonomisë.

DW/NOA

KOMENTE