Tiranë, 18 qershor 2011, NOA Update – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vijon numërimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara, ku deri më tani avantazhin e udhëheq kandidati demokrat Lulzim Basha me 84 vota.
Nga numërimi i deritanishëm në favor të kandidatit të koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Lulzim Basha janë gjetur 15 vota.
Ndërsa në favor të kandidatit të koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” Edi Rama rezultojnë deri tani 12 vota.
Ndërkohë në të tetë grupet e ngritura pranë KQZ-së vazhdon numërimi i votave të hedhura gabim në kutitë e tjera, dhe pikërisht kutitë e KZAZ-së 45, që i përket njësisë nr. 1 në kryeqytet.
Gjatë procesit grupet e numërimit hapin të katërta kutitë e votimit për çdo qendër votimi të thirrur për t’u hapur, ku numërojnë votat e hedhura gabim, të panumëruara gjatë procesit të numërimit në KZAZ-në përkatëse nr. 45.
Burime nga KQZ bëjnë me dije se numërimi i votave për ditën e sotme do të vijojë deri në mesnatë.
Gjatë këtij procesi që pritet të zgjasë disa ditë, do të numërohen 1793 kuti që i përkasin 368 qendrave të votimit të bashkisë Tiranë, nga 485 gjithsej.
mit/NOA