English

Kryetari Bushati mbledh Kongresin e Demokristianëve

Kryesia e Partisë Aleanca Demokristiane vendosi mbledhjen e Kongresit më 24 Shtator

Tiranë, 18 Qershor 2011 NOA - Kryesia e Partisë Aleanca Demokristiane zhvilloi në selinë e kësaj partie mbledhjen e zgjeruar me kryetarët e degëve nën drejtimin e Kryetarit Zef Bushati.

Në rendin e ditës Anëtarët e Kryesisë diskutuan gjerësisht rreth rezultateve të arritura nga ADK në zgjedhjet për Pushtetin Lokal si dhe përgatitjeve intensive që duhet të bëjnë drejtuesit e partisë për shtrirjen dhe organizimin e ADK-së në mbarë vendin.

Rezultati i arritur në zgjedhjet e 8 Majit për Pushtetin Lokal ku Partia Aleanca Demokristiane u përfaqësua me kandidatët e saj për këshilltarë në bashki dhe komuna, në 8 qarqe të vendit nga 12 qarqe që janë gjithsej dhe ku arriti të fitojë 7061 vota dhe 25 këshilltarë, u vlerësua si mjaft premtues nga ana e Anëtarëve të Kryesisë.

Në fjalën e tij lideri historik i Demokristianëve Zef Bushati foli rreth platformës politike dhe organizative të ADK-s duke theksuar me forcë ndërtimin e nj subjekti politik ndryshe, ku roli i kryetarit të partisë do të jetë i barabartë me rolin e çdo drejtuesi tjetër qendror e lokal.

Kulti i kryetarit nuk do të ekzistojë tek Aleanca Demokristiane-u shpreh Bushati dhe shtoi: Modeli i punës sonë është botëkuptimi kristian për njeriun si një krijesë e Zotit me vlera të njëjta, me individualitet dhe dinjitet të veçantë dhe si krijesë jo e përkryer.

Mbi këtë bazë Aleanca Demokristiane angazhohet për mbështetjen e demokracisë së lirë, bazave të shtetit të së drejtës dhe të Ekonomisë Sociale të Tregut. Parimet tona janë liria, drejtësia dhe solidariteti.

Këshilltarët e ADK-së do të jenë mbështetja jonë kryesore për rritjen e rolit dhe të autoritetit të partisë sonë ne Bashkitë dhe Komunat ku kanë fituar – përfundoi fjalën e tij kryetari Bushati.

Në mbledhjen e kryesisë u diskutua dhe rreth përmirësimeve që do të bëhen në statutin dhe programin e partisë për të cilat u ngritën dhe grupet e punës.

Marrëdhënia e ADK-së me partitë simotra Kristian Demokrate të Partive Popullore Europiane ishte një ndër çështjet e mbledhjes së Kryesisë.

Kryesia e Partisë Aleanca Demokristiane me propozim të Kryetarit të Partisë z. Zef Bushati vendosi mbledhjen e Kongresit të ADK-s më 24 Shtator 2011. Për përgatitjen e punimeve të Kongresit u zgjodh një grup pune i kryesuar nga nënkryetari i ADK-së Nikolin Kurti.

e.t/NOA

KOMENTE