Tiranë, 18 qershor 2011 NOA- Përfundon mbledhja e asamblesë kombëtare të Partisë Socialiste. Në mbyllje të saj, sekretari organizativ Blendi Klosi tha për gazetarët se gjatë dy javëve në vijim, do të merret mendimi i socialistëve në rrethe, lidhur me qëndrimin që PS duhet të mbajë sa i takon zgjedhjeve vendore të 8 majit. Klosi tha se, punimet e sotme të asamblesë kishin si qëllim shpërndarjen e mesazhit të fitores së PS-së, në 8 maj, fitore kjo plebishitare, sipas sekretarit organizativ Klosi.
Lidhur me betejën politiko - ligjore për Tiranën, Klosi tha që situata po menaxhohet nga strukturat e posaçme pranë selisë rozë. “Nuk do të lejojmë manipulimin e rezultatit për kryeqytetin”, tha Klosi.
Klosi pohoi se pas marrjes së vendimit që lidhet me protestat, në PS do t’i hapet rruga fushatës për zgjedhjet në parti. Votimi për strukturat e re drejtuese do të bëhet në kongresin zgjedhor në vjeshtën e këtij viti. “Në këtë mënyrë, - deklaroi Klosi- PS-së konfirmon se është parti e vërtetë demokratike, ndërkohë që PD-ja nuk njeh asnjë forum drejtues të tij”.
Kryetari aktual i PS-së Edi Rama nuk pritet të kandidojë në garën e vjeshtës, pasi mandati i tij përfundon në vitin 2013, pas rizgjedhjes në krye të partisë me humbjen e PS-së në zgjedhjet e përgjithshmë të 29 qershorit 2009.
a.q/NOA