Tiranë, 18 qershor 2011 NOA- Rezultatet e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet në zgjedhjet vendore të 8 majit, ishin në qendër të analizës së kryer paraditen e sotme nga këshilltarët e zgjedhur. Në këtë takim, ku merrnin pjesë të këshilltarë e PDIU në këshillat bashkiak dhe komunal, të zgjedhur më 8 Maj, kryetari i PDIU-së, z. Shpëtim Idrizi falenderoi fituesit, duke theksuar se PDIU arriti një rezultat spektakolar, nga jugu, ku u shpall forcë e parë në Delvinë e deri në veri ku u shpall forcë e dytë në Tropojë. “Nga Tropoja në Konispol, nga Korça në Durrës. Nëse s’do të ishit ju sot, PDIU-ja, nuk do të arrinte rezultatin më spektakolar të një partie të re në historinë e pluralizmit shqiptar. Rezultati ynë do të ishte shumë më i madh nëse ne do kishim patur mundësi të krijonim strukturat tona të lehta në të gjithë territorin sipas parimeve të një partie elektorale, nëse ne do të kishim prani në numërimin, apo në vëzhgimin e zgjedhjeve. Jam i lumtur që jam sot mes jush, fitimtarëve të vërtetë, të dërguarve të vërtetë të popullit. Të besuarve të popullit.” – tha z. Idrizi. Më pas, z. Idrizi parashtroi nismat e PDIU-së për periudhën në vijim, duke vendosur theksin tek regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike dhe fetare, për të cilën u shpreh kundër. Idrizi u bëri thirrje institucioneve shtetërore që ta ndalojnë këtë lloj regjistrimi, ndërkaq paralajmëroi edhe reagim të mëtejshëm nëse nuk arrihet diçka e tillë. Presidenti i nderit të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, z. Tahir Muhedini u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve të Çamërisë që të bashkohen rreth PDIU-së e të mos shpërndahen në parti të ndryshme, siç ka pasur fenomene gjatë zgjedhjeve të fundit. “Shqiptarët e Çamërisë e kanë tashmë partinë e tyre dhe kjo është PDIU, e cila është parti e gjithë shqiptarëve patriotë dhe sidomos e shqiptarëve të Çamërisë, kauzën e të cilëve ka në qendër të programit. Të gjithë ata shqiptarë të Çamërisë që kanë qenë me parti të tjera në zgjedhjet e fundit e panë se nuk mund të fitojnë“ – tha z. Muhedini. a.q/NOA