...Pushteti i Saliut po numëron orët e tij të fundit, por fundi i këtij pushteti s’duhet të përkojë në asnjë mënyrë me rënien e Shqipërisë në një humnerë të re ekonomike e sociale...
Sot mblidhemi pas një fitoreje të madhe të zgjedhjeve të 8 majit në dy të tretat e territorit të vendit dhe ndërkohë që një farsë e madhe vazhdon për të grabitur fitoren tonë në Tiranë. Mblidhemi me frymën e një fitoreje elektorale që erdhi me përpjekje e mundime të mëdha në dy vite dhe me frymën e një shqetësimi të madh për të tatëpjetën ku po rrokulliset vendi, demokracia, drejtësia, ekonomia kombëtare e familjare e shqiptarëve. Si asnjëherë pas vitit 1997 financat e vendit kërcënohen prej shthurjes totale. Modeli i turpshëm merr borxh sa të mundesh në emër të vendit dhe shpenzo gjithshka për të mbajtur pushtetin ka nisur të japë krisje serioze në ngrehinën e financave e të ekonomisë kombëtare.
Ky vend po shkon me shpejtësi drejt ballafaqimit të dhimbshëm me shterimin e fuqive financiare. Ndërkohë, siç e provoi katërcipërisht edhe fushata e fundit elektorale, administrata shtetërore s’ka më asgjë të përbashkët me normat kushtetuese, ligjore dhe etike që duhet të garantojnë shërbimin ndaj vendit e qytetarit. 8 maji konfirmoi shpresën e qytetarëve tek Aleanca jonë për të Ardhmen dhe në anën tjetër tregoi edhe njëherë ditën për diell këtë herë mu në mes të kryeqytetit se kundërshtari në pushtet nuk njeh cak ligjor e moral në luftën e vet të ulët me opozitën. Zgjedhjet e 8 majit ishin një fitore shumë e çmuar, jo vetëm për rezultatin e qartë në favor të kandidatëve tanë në qytete ku të gjithë e prisnim dhe në qytete ku fitorja befasoi shumëkënd, por edhe për plot domethëniet e rëndësishme që mund të nxirren prej analizës së këtyre zgjedhjeve.
Kjo ishte një nga ato fitore që mësojnë shumë po t’i lexosh me vëmendje dhe ne duhet ta lexojmë me të gjithë vëmendjen që meriton këtë fitore, sepse kemi detyrimin t’i japim vendit në të ardhmen e afërt një horizonti të ri shpresash e mundësish, përmes një qeverie të re. I uroj me gjithë zemër, këtë herë përpara të gjithë Asamblesë Kombëtare, kryetarët dhe kryetaret e bashkive fituese të 8 majit sot të pranishëm bashkarisht mes nesh. I uroj atyre sukses në qeverisjen e qyteteve që i zgjodhën dhe veçanërisht vetëdije të lartë qytetare e politike në ushtrimin e detyrës së jashtëzakonshme të qytetarit të parë. Puna e secilit, ashtu si edhe puna e gjithë Partisë Socialiste, duhet të fillojë tani nga leximi i duhur, i plotë, i thellë, i fitores së 8 majit për të sapozgjedhurit në funksion të kthimit të premtimeve të dhëna në premtime të mbajtura, për të gjithë partinë në funksion të projektit tonë për Shqipërinë.
Kjo është koha për të hapur dyert e çdo organizate dhe trokitur në dyert e çdo mbështetësi, simpatizanti e votuesi të Partisë Socialiste, duke krijuar të gjitha mundësitë për një zgjerim të domosdoshëm të hapësirës opozitare ku diskutohet për të ardhmen, ku shtohen forcat e kapacitetet njerëzore të angazhuara në sfidën e përbashkët, ku rritet fuqia jonë komunikuese me shoqërinë. Ky vend jeton sot orë tejet të vështira. Kjo shoqëri përjeton sot pasojat e një dekadence të pashembullt morale e intelektuale që shëmbëlltyrën e vet më të paskrupullt ka qeverinë e vendit. Shqipëria sot është në pikën e vet më të ulët në marrëdhëniet me Europën. Saliu nuk e thotë hapur, por në çdo hap tregon me gjithshka bën se projekti i tij nuk është një Shqipëri e re, moderne dhe funksionale në Bashkimin Europian, por një Shqipëri e kapur me zinxhirët e interesave politikë dhe ekonomikë të oborrit të tij.
Na takon ne, Partisë Socialiste në radhë të parë, opozitës në tërësi, të bëhemi më qartë se kurrë bartësit e misionit të patjetërsueshëm të Shqipërisë së sotme për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. E kjo ambicie duhet përthyer sot në një përpjekje shumëplanëshe, në çdo front të ballafaqimit opozitar me pushtetin, për të dëshmuar forcë të madhe morale e programore në kundërvënien ndaj projektit izolues e shkatërrues të Saliut. Për të treguar me qartësi e durim rrugën e re që duam të hapim për Shqipërinë, duke konceptuar një strategji fituese ndaj së keqes në pushtet, në kushtet kur jo vetëm pushtetet kushtetuese, po edhe pushteti i katërt, media, është molepsur si s’ka më keq prej zullumit të Saliut. Për të përfshirë e bashkuar në këtë rrugë me pasion e zemërgjerësi çdo forcë e individ që e dëshiron Shqipërinë Europiane dhe që kërkon të japë atë që mundet në realizmin e këtij qëllimi të madh kombëtar.
8 maji tregoi jo vetëm se sa shumë kemi arritur të bëjmë në dy vjet, por edhe se sa shumë na duhet të bëjmë për të kthyer rrotën e një historie, e cila po zhvillohet në sytë tanë duke na dhënë përditë provën alarmuese të drejtimi të gabuar ku po ecën vendi. Njerëzit presin shumë prej nesh, shpeshherë marrim prej tyre kritika në dukje të pamerituara, por në fakt shumë domethënëse për gjendjen e rëndë ku e ka zhytur vendin diktatura e faktit të kryer. Pas 8 majit, në kushtet e krijuara prej grabitjes forcërisht të fitores sonë në Tiranë, ka pasur natyrshëm reagime ekstreme, rrjetet sociale janë të mbushura me thirrje e ftesa për përmbysjen e Saliut me çdo mjet, si dhe me ankesa ndaj nesh. I mirëkuptoj të gjithë, çka po ndodh me zgjedhjet në Tiranë është më shumë sesa revoltuese. Por shumë pak, një fije, e ndan shprehjen e revoltës që e nxjerr vendin nga një krizë kaq e rëndë sa kjo, me shprehjen e revoltës që e zhyt vendin më keq në krizë.
Ne duam ta nxjerrim Shqipërinë nga kriza dhe këtë mund ta bëjmë vetëm duke provuar, në çdo hap, se jemi një opozitë që revoltën ndaj së keqes e dëshmon si alternativë, jo si një forcë e verbër. Fitorja e 8 majit ishte rezultat i betejës dyvjeçare, që filloi me bojkotin e parlamentit pas zgjedhjeve të vjedhura të qershorit 2009, dhe u përshkallëzua në rrugët e protestës demokratike duke rritur dukshëm ndjeshmërinë shoqërore ndaj vlerës së votës. Pjesëmarrja e lartë, shumë e lartë për një raund zgjedhjesh vendore, ishte fryt i betejës dyvjeçare, falë së cilës arritëm edhe në Tiranë një të atillë pjesëmarrje të popullit opozitar që frenoi stërfuqinë e organizuar kundër nesh për ta marrë fitoren me çdo kusht e mjet antiligjor.
Por sot jemi në kushte të reja, edhe pse pushteti këtë herë ka vjedhur votën tonë në ditën për diell. Madje pikërisht pse e ka bërë këtë ditën për diell, kushtet dhe pozicionet s’janë më ato që ishin. Sot s’ka shqiptar e as mik a partner ndërkombëtarë që të mos na japë të drejtë për gjithë sa kërkuam dy vjet me radhë duke treguar me gisht Saliun si kusar të votës. Nuk është më vetëdija e të gjithëve për këtë të vërtetë problemi ynë, por krijimi tek të gjithë i vetëdijes se ne jemi forca e së ardhmes, forca e ideve dhe planeve që do të shpëtojnë Shqipërinë nga kolapsi, forca morale e shpirtërore e një vendi të paralizuar prej dëshpërimit e të lodhur prej politikës. Ju siguroj se siç i’a dolëm me aq shumë mund e përpjekje në këta dy vjet të provojmë katërcipërisht jo vetëm që jemi në opozitë sepse u vodhëm në votën tonë, por edhe se projekti i Saliut nuk është Shqipëria në Bashkimin Europian, do t’ia dalim me mund e përpjekje të provojmë tanimë se vetëm ne mund të ndërtojmë në këtë vend një shtet të denjë, një ekonomi normale, një Shqipëri Europiane.
Kjo nuk do të thotë aspak se do të heqim dorë nga protestat e demonstratat për largimin e Saliut dhe rrëzimin e diktaturës së kusarisë. Përkundrazi, protestat dhe demonstratat do të jenë mjeti ynë i pandalshëm për shprehjen e revoltës popullore ndaj një regjimi që ka nxjerrë faqe gjithë botës të gjitha kthetrat e tij mbi votën, drejtësinë, ekonominë kombëtare. Por më anë tjetër ne do të organizohemi si asnjëherë më parë për të komunikuar me shqiptarët idetë dhe programin tonë për Shqipërinë. Për të nxjerrë frikën nga shpirtrat e marrë peng prej varfërisë e presionit të pushtetit, nuk mjafton vetëm kurajoja jonë në përballjen me regjimin e frikës e të korrupsionit, por edhe rritja e fuqisë së shpresës së njerëzve tek një e ardhme më e mirë. E kjo është pjesa më e vështirë.
Ne jemi një parti e madhe shqiptare për Europën, duhet t’ia tregojmë çdo qytetari, pa humbur kohë, se jemi partia e madhe europiane e shqiptarëve. Kjo kërkon prej nesh, prej të gjithëve ne, një angazhim të dyfishtë. Nga njëra anë për të hapur e rritur partinë duke u dhënë mundësi njerëzve të bëhen pjesë e rrugës sonë dhe nga ana tjetër për të hapur horizontin e mbyllur të shpresës tek e ardhmja duke i dhënë mundësi çdo qytetari të njihet me idetë, planet, programin tonë për të ardhmen. Ne nuk jemi ana tjetër e medaljes së një politike të zvjedhur që ka dëshpëruar shqiptarët dhe neveritur miqtë e partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë. Ne nuk jemi njësoj me ata që janë në pushtet dhe largimi i këtij pushteti nuk do të jetë për shqiptarët e as për miqtë e partnerët tanë kalimi nga një regjim kusarie e paaftësie blu në një regjim të njëjtë por rozë. Ne jemi ndryshe dhe kërkojmë të qeverisim Shqipërinë për arsye krejt të ndryshme, por sot jemi të sfiduar që ta provojmë këtë, edhe për qytetarët e këtij vendi edhe për miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë.
Zgjedhjet e 8 majit na krijojnë mundësinë ideale për ta çuar me sukses përpara betejën tonë, sepse në fitoren e tyre, po edhe në gjithë sa ndodhi pas fitores së ngushtë në Tiranë, ka shumë për të lexuar, për të kuptuar, për të konkluduar. Në vjeshtë mblidhet Kongresi Zgjedhor i partisë, ku na duhet të dizenjojmë qartë rrugën e fitores së ardhshme, për të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë. Kjo është një kohë e vyer për të analizuar me qetësi çdo aspekt të funksionimit të partisë gjatë testit të 8 majit dhe përfshirë me largpamësi e kurajo në programin tonë organizativ, politik e qeverisës gjithshka i duhet kësaj partie jo vetëm për të fituar zgjedhjet e ardhshme, po për të bërë me atë fitore punët që i duhen Shqipërisë.
Pushteti i Saliut po numëron orët e tij të fundit, por fundi i këtij pushteti s’duhet të përkojë në asnjë mënyrë me rënien e Shqipërisë në një humnerë të re ekonomike e sociale. Dhe këtë përkim ogurzi duhet ta pengojmë me çdo kusht ne, Partia Socialiste në një Aleancë të madhe për të Ardhmen me çdo forcë e individ që kërkon një Shqipëri normale, demokratike dhe europiane.
Lejomëni t’ju propozoj që këto dy javë të jenë për të gjithë ne koha e një komunikimi intensiv me anëtarësinë e partisë në të gjithë territorin e vendit, për të lexuar sëbashku, me të gjithë vëmendjen e duhur, fitoren e 8 majit, arritjet e bukura dhe problematikën e një procesi që jo vetëm na nxori fitues, po na ka nxjerrë edhe të sfiduar për të hedhur një hap të ri përpara drejt fitores së ardhshme. Dhe pastaj dy javë si sot, në 29 qershor, të rimblidhemi përsëri këtu për të marrë vendimet e duhura në emër të të gjithë anëtarësisë së partisë, të të gjithë mbështetësve e votuesve tanë dhe në funksion të sfidës së jashtëzakonshme që kemi përpara.
*Fjala në Asamble e Kryetarit të PS Edi Rama