Tiranë, 18 qershor, NOA – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka lënë dy javë kohë për strukturat që të diskutojnë në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve vendore dhe rrugët që do të ndjekë Partia Socialiste. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha sot gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare se në datën 29 qershor do të vendoset për rrugën që do të ndjek opozita, në një tjetër mbledhje të Asamblesë. Ndërsa ka theksuar se ky është një tur informimi me bazën.
“Këto dy javë do të jenë kohë e një diskutimi intensiv, për të diskutuar fitoren e tetë majit. Më 29 qershor të rimblidhemi përsëri këtu për të marrë angazhime”, tha kreu i PS-së.
Takimet në bazë do t’i hapin rrugën kongresit të Partisë Socialiste, zhvillimi i të cilit pritet të bëhet në vjeshtë.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se sot vendi “ndodhet në pikën më të ulët të marrëdhënieve me Europën”. Sipas kreut të PS-së, i takon Partisë Socialiste, që si forcë e përgjegjshme të punojë për përmirësimin e imazhit të vendit. Nga ana tjetër, në deklaratën e liderit të PS-së është theksuar dhe fakti se opozita nuk heq dorë nga protestat.
“Nuk do të thotë që do heqim dorë nga protestat, përkundrazi do jenë mjeti ynë i pandalshëm”, tha sot Rama. Ai shtoi se “Partia Socialiste është forca politike që do e nxjerrë vendin nga kolapsi”.
Kreu i selisë rozë ka akuzuar mazhorancën dhe kryeministrin Sali Berisha. Sipas tij, “kjo qeveri i ka orët të numëruara”.
a.k/NOA