E diel, 19 qershor 2011, NOA- Autostrada pan-europiane, Korridori 10, e parashikuar fillimisht për të qenë itinerari kryesor i tranzitit për Olimpiadën e Athinës të vitit 2004, po shtyhet tashmë edhe më shumë dhe ka gjasa të mos përfundojë deri në vitin 2016.
Pjesa në Serbi qe reklamuar fillimisht si një mundësi unike për investime të huaja, por ajo ka ndeshur pengesa në çdo hap të rrugës.
“Në qoftë se nuk arrihen të respektohen afatet për ndërtimin e pjesës fushore të autostradës ... si do të përfundojë e gjithë pjesa serbe e Korridorit 10 deri në vitin 2015? Segmenti jugor që do të shpohet përmes malit, 12 km i gjatë, as nuk ka nisur”, thotë Mahmut Bushatlija, këshilltar për zhvillimin dhe investimin.
“Për atë shpim të veçantë në kanionin Siçevaçka, teknikisht, kërkohen së paku pesë vjet, pavarësisht se çfarë mega-makinerish përdoren”, paralajmëron ai.
Dy kompani shtetërore, Putevi Srbije (Rrugët e Serbisë) dhe Korridori Srbije (Korridoret e Serbisë), janë përgjegjëse për ndërtimin dhe po financojnë pjesërisht projektin, ndërsa bankat ndërkombëtare financojnë pjesën e mbetur. Putevi Srbije, përgjegjëse për segmentet e vjetra por të pambaruara të autostradës, po financon projektin nga buxheti i shtetit, një zgjidhje kjo që përbën një problem të dukshëm për përfundimin e ndërtimit.
“Në muajin e fundit, u kryen tre tendera publikë për të hapur 70 km rrugë të reja. Por tenderat e rinj mbeten për t'u kryer gjatë periudhës tjetër’” tha për SETimes Sanja Stavriç, menaxhere e Koridori Srbije.
Fondet janë kurdoherë një problem i madh, më së shumti për shkak se kompensimi i pronarëve të tokës vjen nga buxheti i shtetit, jo nga Banka Botërore, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillimin apo Banka Evropiane e Investimeve. Edhe në qoftë se problemi nuk do të ishte te fondet, pengesave për një zgjidhje të shpejtë të ndërtimit të ngadaltë të autostradës u janë shtuar regjistrat e tokës dhe kapaciteti i vogël i punës së administratës lokale.
Nga 800 km të Korridorit 10 të BE-së nëpër Serbi, nga kufiri hungarez në Suboticato Dimitrovgrad deri në Preshevë, pranë kufirit me Bullgarinë dhe Maqedoninë, 330 km të autostradës mbeten pa mbaruar. Që nga viti 2004, është ndërtuar çdo vit një mesatare prej 30 km, me vetëm 7,7 km ndërtuar në vitin 2008.
(INA)/NOA