Tiranë, 19 qershor 2011, NOA – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vijon numërimin e votave të kontestuara në KZAZ-në 47 në kryeqytet që i përket njësisë nr. 3.
Nga numërimi i deritanishëm ulet diferenca e avantazhit me vota mes dy kandidatëve për bashkinë e Tiranës, ku kryeson Lulzim Basha me 76 vota.
Deri më tani gjatë numërimit të fletëve të kontestuara në favor të kandidatit të koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Lulzim Basha rezultojnë 17 vota të gjetura të hedhura gabimisht në kutitë e tjerë, ndërsa për kandidatin e koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” Edi Rama 33 vota.
Ndërkohë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vijon hapjen e 117 kutive të KZAZ-së 47 të njësisë bashkiake nr. 3.
Procesi i numërimit të fletëve të kontestuara dhe këqyrjes së votave të pavlefshme në kutitë e njësisë 3, vijon në të tetë grupet e numërimit pranë KQZ-së.
Çdo fletë votimi e kontestuar dhe e vlefshme për kryetarin e bashkisë së Tiranës vijon më pas të tabulohet në tabelën përkatëse nga KQZ.
KQZ nisi hapjen e kutive të bashkisë së Tiranës pas miratimit të akt-vendimit për të numëruar të gjitha fletët e kontestuara apo të hedhura në kutitë e gabuara, në të gjitha qendrat e votimit të Tiranës si dhe për të kqyrur të gjitha zarfet me fletët e pavlefshme apo fletët e vlefshme, të cilat gjenden jashtë zarfit me fletë të kontestuara me qëllim që çdo votë e hedhur gabimisht të shkojë për kandidatin e votuar.
Gjatë këtij procesi do të numërohen fletët e votimit të kontestuara në 1793 kuti votimi, që i përkasin 368 qendrave të votimit të bashkisë së Tiranës. Vijon..
mit/NOA