English

Jolie në ishullin Lampeduza: Është nder të jesh këtu

Lampeduza, 19 qershor 2011, NOA – “Është nder të jesh në këtë ishull të bukur. Është hera e parë që vij dhe shpresoj të rikthehem” Këto ishin fjalët me të cilat iu drejtua krerëve të ishullit Lampeduza në Itali, aktorja e Hollivudit dhe ambasadorja e OKB-së për refugjatët Angeline Jolie, e cila mbërriti sot në ishullin që priti mijëra refugjatë të mbërritur nga brigjet e Afrikës Veriore, për shkak të luftërave të brendshme kundër regjimeve autoritare që kanë përfshirë disa prej vendeve të këtij kontinenti, si Libia e Siria.

“Ju nuk e imagjinoni dot se ç’farë u keni dhënë të gjithë atyre personave që kërkojnë dëshpërimisht ndihmë, se ç’farë keni qenë për ta”, tha me një ton prekës ylli i kinemasë duke folur pranë Portës së Europës në ishullin Lampeduza, ku po mbahej një ceremoni në kujtim të qindra emigrantëve të mbytur në det me shpresën për t’i ikur luftës.

E shoqëruar nga komisari i lartë i OKB-së për refugjatët Antonio Guterres, Jolie pohoi për agjencinë italiane ANSA se “është tejet e vështirë të mendosh sa persona kanë rrezikuar e humbur jetën dhe fëmijët e tyre duke parë këtë det të mrekullueshëm”.

Duke vazhduar fjalimin e saj aktorja e famshme tha se “Shoh këtu familje të tëra dhe mendoj se si jeta e këtyre njerëzve ishte aq e tmerrshme për të vendosur arratisjen përmes detit duke marrë në sy rrezikun e vdekjes apo të mbytjes. Mendoni ç’do të thotë për këta njerëz t’ju gjenin ju që i mikpritët”, nënvizoi Jolie, duke deklaruar rishtas se “Është nder të jesh këtu”.

Aktorja amerikane dhe ambasadorja e OKB-së Angelina Jolie pa nga afër qendrën e refugjatëve në ishullin Lampeduza.

Ylli i kinemasë mbërriti nga Malta në orët e drekës dhe më pas do të marrë pjesë në një ceremoni në kujtim të emigrantëve të vdekur në detin Mesdhe në tentativën për të arritur Europën.

Angelina Jolie prej dhjetë vitesh tashmë merret me çështjet humanitare.

Ajo vizitoi pak ditë më parë edhe kufirin mes Turqisë dhe Sirisë ku vizitoi nga afër refugjatët sirianë që po ikin në masë nga atdheu i tyre.

Duke folur për aktoren, komisari i OKB-së Gutierres, tha se “ajo nuk është vetëm një njeri i famshëm, është një njeri shumë i impenjuar, një anëtare e shkëlqyer e skuadrës sonë”.

mit/NOA

KOMENTE