English

KQZ, tregu i gjësë së gjallë

Nga Eduard Shalsi

Që prej datës 14 maj, ditë kur qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë panë qartazi se fituesi i Bashkisë së Tiranës ishte Edi Rama me 10 vota para, Sali Berisha hapi një tjetër kapitull të turpshëm zgjedhjesh në Shqipëri.

Gjatë gjithë kësaj kohe, kemi qene dëshmitar të përpjekjeve të paskrupullta të Sali Berishës për të ndryshuar me çdo kusht rezultatin e Tiranës, duke tentuar kësisoj të deformojë vullnetin e qytetarëve të Tiranës.

Duke përdorur çdo mjet antidemokratik dhe antiligjor, për të bërë fituesin humbës dhe humbësin fitues, Sali Berisha vazhdon të manipulojë në mënyrë të trashë dhe të paturpshme procesin dhe kutitë ku gjenden fletët e votimit.

Dje pamë një tjetër shfaqe të shëmtuar të KQZ, që vazhdon edhe sot:

Pamë urdhra që nuk mbështeten aspak në procedurat e përcaktuara në ligj,

kuti që hapeshin, me numra kodesh sigurie që nuk përputheshin me ato të shënuara në procesverbale, fletë votimi që gjendeshin jashtë zarfeve të mbyllura.

Kjo është ajo që ndodh në KQZ, një Komision që i ngjan më shumë tregut të gjësë gjallë se sa një institucioni serioz dhe dinjitoz. Duke mos qenë i aftë të fitojë por duke mos patur as kurajën për të pranuar humbje Sali Berisha e ka çuar vendin drejt një shtegu të rrezikshëm, koston e të cilit do ta paguajnë të gjithë shqiptarët.

Kjo shfaqe, sa e paimagjinueshme aq dhe e paprinciptë duhet të marrë fund një herë e mirë. Qytetarët folën, votat e tyre u numëruan në sy të milionave shqiptarëve, Saliu humbi. Kjo është e vërteta e patjetërsueshme e zgjedhjeve të 8 Majit në Tiranë.

KOMENTE