Tiranë, 19 qershor, NOA - Operatori i Sistemit të Transmetimit njofton se si pasojë e remonteve në linjat elektrike, nga nesër deri në datën 24 qershor do të ketë kufizime energjie në disa prej komunave të Durrësit, Elbasanit dhe Pukës.
Sipas OST, për shkak të punimeve që do të kryhen në linjën e transmetimit 220 kV, Tiranë - Rrashbull, gjatë datave 20 dhe 21 qershor do të këtë kufizime të pjesshme të energjisë nga ora 08:00 deri në orën 17:00. Zonat ku do të kufizohet energjia janë: Sallmone, Bashkia Manzë, Kogjas Fushë, Rada, Gjiri i Lalzit, Ishëm, Komuna Maminas, si dhe ndërprerje të alternuara në zonat Prezë, Gërdec, Marikaj dhe Gjokaj.
Po ashtu, për shkak të punimeve në Nënstacionin Elektrik Rajonal “Elbasan 1”, do të ketë ndërprerje të energjisë më datën 20 qershor, në orën 08:00 deri në orën 18:00 edhe në zonat: Komunat Shushicë, Shirgjan, Bradashesh, Funar, Paper, Tregan, Gjinar, Zavalinë, Mjekës dhe Fabrika e Çimentos,
Ndërsa në datat 20 deri në 24 qershor do të ketë ndërprerje të energjisë në komunat Fierzë dhe Iballë të rrethit të Pukës. Sipas OST-së këto ndërprerje do të vijnë si pasojë e remontit të linjës së transmetimit 220 kV, Fierzë – Koman. Kufizimet për këtë linjë do të jenë nga 08:00 deri në orën 17:00.
a.k/NOA