Nga Mero Baze
Fillimi i procesit të hapjes së kutive dhe shqyrtimit të fletëve të pavlefshme dhe të kontestuara, po rinxjerr para publikut një radiografi të shëmtuar të procesit zgjedhor. Në kutitë e para që u hapën, shqiptarët panë fletë jashtë zarfeve të futura në mënyrë të sforcuar në kuti, pamë kuti me kode të ndryshuara, pamë kuti me kapakë të liruar ku mund të fusje një zarf të tërë brenda, dhe asnjë reagim ligjor ndaj tyre. Kryetari i KQZ vazhdoi me nervozizëm legalizimin e tyre duke ridegraduar tashmë jo vetëm procesin zgjedhor, por dhe hetimin e këtij procesi. Arroganca për të mos përfillur faktet që shfaqen para syve të shqiptarëve dhe legalizimi i votave të futura në kuti si vota që janë pjesë e procesit, i heq kuptimin përpjekjes serioze të Kolegjit për të hetuar procesin dhe për t’i ruajtur atij integritetin.
Nga ky proces është e qartë se nuk del më asnjë rezultat ligjor. Në kuti janë futur duart qartazi dhe procesi nuk rakordon më. Askush nuk nxjerr dot më një shifër që të përputhë votat e hedhura për kryetarin me numrin e votuesve që kanë firmosur se kanë votuar. Kështu që në të gjitha rastet shansi i vetëm i rikthimit të legjitimitetit të zgjedhjeve është pavlefshmëria e këtij procesi dhe rivotimi për kryetarin.
Por çështja shtrohet nëse ka shanse të ndalet kjo arrogancë që po degradon hetimin e procesit?
Dy anëtarët e mbetur të opozitës në KQZ nuk kanë as paturpësinë e Ristanit dhe as vullnetin për të shkelur ligjin që të jenë të barabartë në këtë përdhosje të ligjit. Ata nuk mund ta ndalin dot as fizikisht dhe as administrativisht atë maskaradë.
Opozita politike po ashtu përveçse të ngrejë zërin nuk ka ndonjë mënyrë tjetër se si ta ndalojë atë turp që po zhvillohet para syve tanë. Shpresa e vetme e tyre me sa duket është se sa më shumë të degradojë, aq më shumë do njollosen zgjedhjet, por kjo nuk vlen në rastin e Berishës, i cili i ngjan një ujku të vjetër që më shumë i shijon kërma me erë se mishi i freskët.
Media po ashtu, siç është futur nën kontrollin thuajse të plotë të qeverisë, nuk ka asnjë qasje kritike për atë që po ndodh, por është kthyer në telefon të prishur që përcjell përtej zyrës së Ristanit atë që ai pëshpërit aty duke shkelur me të dy këmbët ligjin.
Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë ikur dhe ndonjë ekspert që ka mbetur këtu për të vëzhguar procesin, është duke parë një film të vjetër që xhirohet para tij.
Në këto rrethana, ky hetim po e degradon edhe më keq procesin se sa e ka degraduar ndryshimi i rezultatit në tavolinë.
Në këto kushte opozita duhet të mbikëqyrë fort vetëm një proces, atë të inventarit të fletëve në kutinë e kryetarit të Bashkisë dhe në fund nëse këto fletë nuk rakordojnë me numrin e votuesve, të kërkojë pavlefshmërinë e procesit. Gjithçka tjetër aty nuk dëshmon asnjë sinjal se procesi ka integritet. Nëse ne legjitimojmë vota jashtë zarfit, kuti me kode të hapura dhe të ndryshuara, kuti me kapak të liruar dhe fenomene të tjera flagrante të pavlefshmërisë, atëherë ne kemi legjitimuar një standard primitiv të procesit, nga i cili s’mund të dalë kurrë një kryetar bashkie për kryeqytetin.
Por ka një arsye më madhore që degradimi i këtij procesi nuk ndalet dot. Të gjithë e keni vënë re dje se Arben Ristani ishte shumë nervoz. Nga natyra është djalë i qetë, pa shumë vetëdije për rëndësinë e punëve që i japin të bëjë dhe shumë pak i ndjeshëm nga opinioni publik për shkak të një mangësie në kulturën e tij personale në raport me medien dhe marrëdhëniet publike. Nervozizmi i tij reflekton në të vërtetë arsyen përse ky degradim nuk mund të ndalet. Ai është njollosur rëndë ligjërisht nga vendimi i zbardhur i Kolegjit Zgjedhor, duke e bërë përgjegjës KQZ për deformim të frymës kushtetuese në nxjerrjen e rezultatit duke shkelur parimin e barazisë së votës. Ai tani do të provojë se ashtu siç legalizoi 81 fletë që nuk dihet nga u shtuan në kutitë e votimit, të legalizojë gjithë procesin për t’ia dhënë fitoren në tavolinë Lulëzim Bashës.
Ai është nervoz pasi po përdoret si kokë turku në një histori pa bërë akoma asnjë pazar as me Bashën dhe as me Berishën, thjesht se ata e konsiderojnë si shërbëtor. Por mbi të gjitha ai është nervoz pasi shikon se Berisha dhe Basha janë nervozë dhe kërkojnë me çdo kusht mandatin në tavolinë. Ky nervozizëm po degradon procesin dhe po ringre tensionin në vend pasi po injekton në shoqëri makthin e njerëzve që kanë prishur një proces për të ndryshuar rezultatin në tavolinë.
Natyrisht ne nuk presim që Ristani të jetë më gjakftohtë në krimin që po bën, por presim që ai të fitojë qetësinë në respektimin e ligjit për të mos e rënduar më shumë historinë e ndyrë të këtyre zgjedhjeve. Këto zgjedhje kanë rënë. Problemi është të mos marrin me vete gjithë shoqërinë për mandatin e një njeriu, i cili në një shoqëri normale me shtet ligjor, duhet të ishte tani në qelinë e burgut.
* Dërguar nga autori, qëndrimet janë personale dhe nuk prezantojnë domosdoshmërisht vijën editoriale të NOA