English

Vetëvendosja: Politikat qeveritare, sëmundja e sistemit shëndetësor

Prishtinë, 19 qershor 2011, NOA – Lëvizja Vetëvendosja denoncon politikat dhe papërgjegjshmërinë e qeverisë së Kosovës ndaj sistemit të shëndetësisë në Kosovë, i cili pas viteve të luftës është dëmtuar rëndë në çdo hallkë të tij.

Sipas saj situata në mjekësi është pasqyrim i harresës totale të qeverisë aktuale dhe atyre të mëparshme ndaj qytetarëve të Kosovës.

Vetëvendosja kritikon qeverinë për buxhetin e ulët që ajo ka lëvruar për shëndetësinë në Kosovë, buxhet që nuk ka kaluar kurrë 6 përqind të buxhetit të shtetit.

“Në vendin me 45% papunësi, në vendin e vetëm në Evropë pa sigurim shëndetësor zgjidhje shihet privatizimi i sektorëve të shëndetësisë. Sektorë në të cilët nevoja e qytetarëve për kurim sipas të dhënave të viteve të fundit është në rritje. Pasi e rrënuan shërbimin publik, promovuan abuzimin me fondet publike për barnat, degraduan infrastrukturën spitalore, rekrutuan në vija partiake drejtuesit, na dhanë si rezultat armiqësimin e mjekut me pacientin”, deklaron Vetëvendosja.

Kjo lëvizje kritikon qeverinë e Hashim Thaçit se papërgjegjshmërinë e saj për shëndetësinë po rreket ta transferojë tek sektori privat.

Ajo e cilëson rast alarmant paralajmërimin e Ministrit të Shëndetësisë, se varianti i zgjidhjes së problemeve në shëndetësi po shqyrtohet së bashku me sektorin privat.

“Kjo është një nismë e cila do të godasë xhepat e qytetarëve të Kosovës, specifikisht pacientët që vuajnë nga kanceri dhe familjet e tyre. Për institutin e Onkologjisë, që nga viti 2004, janë investuar rreth 5 milion euro në infrastrukturë dhe aparatura. Ende sot instituti nuk ka arritur të funksionalizohet plotësisht”, thekson Vetëvendosja.

Vetëvendosja bën me dije se sektori shëndetësor vuan nga mungesa e vullnetit politik për funksionalizimin e reformimin e sistemit shëndetësor; nga keqmenaxhimi i qëllimshëm për interesa personale, grupore dhe partiake që e kanë sjellë sektorin publik në prag të kolapsit; nga dëmtimi i qëllimshëm i dinjitetit të mjekut, pagave të ulëta deri poshtëruese, mungesa e kushteve elementare të punës, mungesa e mjeteve dhe barnave, aferat korruptive, dhe emërimet e shkarkimet partiake të njëpasnjëshme që e kanë kthyer profesionin e mjekut në një një profesion të përbuzur.

Gjithashtu sipas Vetëvendosjes shëndetësia vuan edhe mungesën e instalimit të institucionit të përgjegjësisë, që për pasojë numëron raste të rrezikimit të jetës së pacientit dhe të mungesës së llogaridhënies si dhe humbjen dhe dëmtimin e pronës dhe pasurisë publike përmes vjedhjes dhe dëmtimeve të tjera.

Rastet më tipike sipas lëvizjes Vetëvendosja janë mosfunksionimet e shpeshta të aparaturave diagnostike si CT dhe Rezonancës Magnetike.

Kjo lëvizje po analizon me vëmendje draftet për projektligjet e propozuara për shëndetësinë dhe sigurimet shëndetësore dhe së shpejti do të prezantojë konkluzionet e kësaj analize.

Sipas Vetëvendosjes ministria ka propozuar krijimin e Ndërmarrjes publike shëndetesore, e cila mund të sjellë rrezikun që shërbimi mjekësor t’u mungojë pacientëve.

Gjithashtu ajo bën me dije se gjatë draftimit të Ligjit për Shëndetësinë është nënshkruar kontrata për shërbimet shëndetësore me disa klinika private, pronarët e të cilave kanë qenë anëtarët e grupit për hartimin e këtij ligji, duke përbërë një konflikt të hapur interesi.

Ndërkohë sipas Vetëvendosjes çështje tjetër shumë problematike është drafti i projektligjit për sigurimet shëndetësore, pasi propozimi në projektligj diskriminon të varfërit se pakoja bazike pritet të jetë shumë e vogël dhe e dyta, ndikimi shtetëror dhe partiak është evident në pikat kryesore të tij.

Për të gjitha këto politika të papërgjegjshme qeveritare lëvizja Vetëvendosje i të gjithë mjekët dhe punonjësit e shëndetësisë t’i bashkohen protestës paqësore kundër hajnisë me 22 Qershor.

mit/NOA

KOMENTE