English

Aleanca Kuq e Zi kundër vendimit të qeverisë: Regjistrimi etnik destabilizon të ardhmen e Shqipërisë

Tiranë, 20 qershor 2011, NOA – Pas deklaratës së ministrit Genc Pollo për të mos u tërhequr nga projekti për regjistrimin e popullsisë dhe vetëdeklarimi etnik e fetar ka reaguar “Aleanca Kuq e Zi”, e cila kundërshton vendimin e qeverisë komunikuar nga ministri Pollo si tejet zhgënjyes dhe se bie ndesh me parimet dhe standardet demokratike.

“Vendimi zyrtar i komunikuar nga Ministri Genc Pollo është thellësisht

zhgënjyes, në mungesë të parimeve dhe standardeve demokratike si dhe

prepotencë e hapur ndaj opinionit publik, i cili në mënyrë masive është

përfshirë në lëvizjen kundër rregjistrimit”, thuhet në deklaratën për shtyp të shpërndarë nga Aleanca Kuq e Zi.

Kjo aleancë ka ndjekur me shqetësim të thellë deklaratën zyrtare të

ministrit Pollo duke theksuar se ky vendim vjen kur elita e intelektualëve shqiptarë kanë nënshkruar peticionin kundër regjistrimit etnik dhe fetar dhe kur të gjitha komunitetet fetare janë shprehur kundër këtij lloj rregjistrimi si një shkak që mund të prishë bashkëjetesën fetare.

Sipas Aleancës Kuq e Zi ky lloj rregjistrimi mbi baza vetëdeklarimi jashtë kritereve

objektive nuk aplikohet nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian përfshirë dhe

Greqinë.

Aleanca Kuq e Zi parashtron argumentet pse rregjistrimi popullsisë mbi bazën e vetëdeklarimit etnik dhe fetar duhet të tërhiqet duke bërë me dije se “ky regjistrim ka dështuar pjesërisht kudo ku jetojnë

Shqiptarët në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni dhe ku akademikët më në zë

shqiptarë nga të gjithë trevat shqiptare janë shprehur dhe kanë argumentuar

pasojat dhe rreziqet për identitetin tonë kombëtar; kur të gjithë shqiptarët që jetojnë në emigracion dhe janë pjesë e diasporës janë të shqetësuar për këtë proces; kur Gjykata Kushtetuese ka në gjykim kërkesat e gjykatës

Sarandë, Përmet dhe Shkodër për shfuqizimin e ligjit “Për gjendjen civile”

mbi dispozitat që vijnë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe kur

pritet vendimi i kësaj gjykate; kur në publik është hapur një debat i gjerë juridik, historik

dhe politik mes aktorëve më të njohur të tre pushteteve dhe institucioneve

të tjera të pavarura”, thuhet në deklaratë.

Aleanca Kuq e Zi thekson se populli po i drejtohet Kuvendit të Shqipërisë

për të amenduar dispozitat e ligjit për rregjistrimin e popullsisë.

Në fund të deklaratës Aleanca Kuq e Zi e drejtuar nga Kreshnik Spahiu njëherësh nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, deklaron se do të paraqesë të mërkurën pranë Kuvendit peticionin kundër rregjistrimit të popullsisë përmes vetëdeklarimit të fesë dhe etnisë i nënshkruar nga dhjetra mijë shqiptarë.

“Në këto kushte të detyruar nga kjo trysni dhe presion burokratik Aleanca Kuq

e Zi është e detyruar të paraqesë pasnesër në ora 10.00 në zyrat e Kuvendit

të Shqipërisë, peticionin e dhjetra mijra qytetarëve shqiptarë si mënyra e

vetme demokratike për të frenuar një proces i cili është imponuar nga jashtë

dhe ka rrezik të destabilizojë të ardhmen politike të Shqipërisë”, nënvizon Aleanca Kuq e Zi duke theksuar se ky nuk do të jetë hapi i vetëm për ndalimin e këtij projekti që nuk i shërben sipas saj të ardhmes politike të Shqipërisë.

mit/NOA

KOMENTE