Tiranë, 20 qershor 2011, NOA Update - Gjykata e Lartë vendosi të shtyjë procesin gjyqësor kundër ish-zëvendëskryeministrit Ilir Meta, i cili akuzohet për korrupsion aktiv pas publikimit të videopërgjimit Meta-Prifti.
Avokatët mbrojtës të kreut të LSI-së kanë kërkuar shpalljen të paligjshëm të hetimeve të organit të akuzës për shkak të shkeljeve të konstatuara gjatë fazës së hetimeve paraprake.
Sipas mbrojtjes shkeljet e evidentuara e shndërrojnë procesin hetimor, si pjesë integrale e procesit gjyqësor, në një proces të paligjshëm.
“Organi i akuzës, gjatë fazës së hetimeve paraprake lidhur me procedimin penal nr.1 të vitit 2011, ka kryer veprime hetimore në kundërshtim me ligjin procedurial penal”, thuhet në deklaratën e avokatit mbrojtës të Ilir Metës, Petrit Serjani.
Avokati Serjani kërkoi të mos përdoret për hetim video Meta -Prifti, duke argumentuar se ajo është siguruar në rrugë të paligjshme.
Gjithashtu avokati mbrojtës i Metës kërkoi edhe shpalljen të pavlefshme edhe të deklaratave të ish-ministrit te Ekonomisë, Dritan Prifti, që është autori i video-skandalit Meta-Prifti.
Avokati i Metës paraqiti këto kërkesa për shpalljen të paligjshëm të hetimeve të prokurorisë: “Nga analiza e veprimeve hetimore që lidhen me afatet del se, në datën 12.1.2011, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr. 136 të vitit 2011, bazuar në transmetimin e datës 11.1.2011, në emisionin “Fiks-Fare” të orës 20.10 e në vijim të Televizionit “Top Channel”, të një regjistrimi audioviziv të bërë me kamera të fshehtë. Më tej, organi i akuzës i rrethit gjyqësor Tiranë ka vazhduar të kryejë veprime hetimore lidhur me këtë procedim deri në datën 19.1.2011, kur shpalli moskompetencën e tij lëndore për hetimin e këtij procedimi penal. Në vendimin e datës 19.1.2011, përfaqësuesi i akuzës në Prokurorinë e Rrethit Tiranë arsyeton se ai nuk është kompetent për hetimin e këtij procedimi pasi, sipas deklarimeve të shtetasit Dritan Prifti, shtetasi Ilir Meta i ka kërkuar të kryejë veprime të kundërligjshme apo korruptive. Përfaqësuesit e akuzës në Prokurorinë e Tiranës, nga çfarë kishin parë të transmetohej në emisionin “Fiks Fare” dhe nga veprimet hetimore të kryera prej tyre, konstatuan se nuk ishin ata kompetentë për hetimin e këtij procedimi, por Prokuroria e Përgjithshme. Ky ndryshim kompetence u përcaktua nga fakti se shtetasi Ilir Meta, që dukej në videon e transmetuar, ishte deputet i Kuvendit të Shqipërisë, zv/Kryeministër dhe Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës”, theksoi avokati Serjani, duke argumentuar se për këtë arsye, të gjitha veprimet hetimore janë kryer jashtë afatit ligjor të përcaktuar në Kodin e Procedurës Penale, që parashikon se afati përfundimtar është 3 muaj.
Sipas Serjanit, pretendimi i mësipërm për shkelje të afateve mbështetet nga faktet se në datën 12.1.2011, Prokuroria e Tiranës, e nisi regjistrimin e procedimit penal mbi regjistrimin audioviziv të shfaqur në televizionin TCH ku dallohen qartë figurat e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar, Ilir Meta dhe Dritan Prifti, dhe, titrat në fund të ekranit lënë të nënkuptohet që ata janë duke biseduar për të favorizuar subjekte private për tendera e koncesione për përfitime materiale.
“Pra janë këto pamje dhe titrat shoqëruese të montuara në fund të ekranit ato që kanë krijuar shkakun për regjistrimin e procedimit penal, që llogjikisht ngarkohet kundër dy personave, të vetmit që shihen në video. Edhe pse procedimi është regjistruar pa emër, që nga momenti që është regjistruar si procedim penal, duket mëse qartë se është në ngarkim të dy personave publikë të njohur”, tha Serjani, duke nënvizuar se “është në të drejtën e organit të akuzës të vendosë kur ta shënojë emrin e personit në regjistrin e njoftimit të veprave penale, por kjo e fundit nuk është e drejtë, me të cilën organi i akuzës mund të abuzojë në favor të tij”.
Pas prezantimit të kërkesave për paligjshmërinë e hetimit të prokurorisë Prokuroria e Përgjithshme kërkoi kohë që të njihet hollësisht me to.
Gjykata e Lartë vendosi të shtyjë seancën për Metën për në datën 27 qershor 2011.
mit/NOA