Tiranë, 20 qershor 2011, NOA – Kur procesi zgjedhor i 8 majit po vijon ende me debate për shkak të interpretimeve të ndryshme të Kodit Zgjedhor të miratuar në vitin 2008 nga dy partitë e mëdha PD e PS dhe boshllëkut që ai ka, sa i përket vlefshmërisë së votave të hedhura në kutitë e gabuara, Kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje opozitës të nisë hartimin e amendamenteve për reformën zgjedhore dhe t’ia paraqesë ato Komisionit të Venecias dhe OSBE-ODHIR-it.
Në mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar të demokratëve, lideri demokrat vlerësoi procesin e hapjes së kutive në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve duke theksuar se mazhoranca pret përfundimin e këtij procesi dhe shpalljen në fund të tij të rezultatit për Tiranën.
Ai iu referua thirrjes së ndërkombëtarëve që forcat politike të presin qetësisht përmbylljen e procesit në institucionet e ligjit.
“Sot në Këshillin e Ministrave të BE-së në Luksemburg u miratua një dokument që unë dua ta përshëndes përzemërsisht. Në tërësi ministrat e Jashtëm të BE-së kërkojnë nga forcat politike të vendit respektimin e plotë të shtetit ligjor dhe të institucioneve të pavarura të tij”, tha kryeministri Berisha.
“Unë shpreh vlerësimin tim të madh për shkallën maksimale të transparencës së dëshmuar në këtë proces, vendosmërinë e pakursyer për të respektuar vendimet e institucioneve tona të pavarura. Kjo që po ndodh në Shqipëri është dëshmi e pakundërshtueshme e respektimit të shtetit ligjor, përtej vlerësimit të skeptikëve”, tha Berisha.
Shefi i qeverisë deklaroi vendosmërinë e mazhorancës për pritjen e përfundimit të procesit zgjedhor, duke garantuar opozitën për mbështetjen e amendamenteve të saj për reformën zgjedhore.
“Presim përfundimin e këtij procesi në kuadër tërësor institucional, sikundër garantojmë plotësisht opozitën shqiptare dhe komunitetin ndërkombëtar se mbetemi të angazhuar për një hapësirë të plotë në reformën zgjedhore për t’i dhënë përparësi të plotë opozitës për sugjerimet e OSBE-ODHIR-it. Një pjesë e këtyre rekomandimeve janë adresuar nga KQZ, të tjera kanë gjetur mishërim në Gjykatat e vendit. Për të tjerat që kanë mbetur, unë sërish ftoj opozitën të hartojë amendamente, t’i dërgojë ato në Komisionin e Venecias dhe OSBE-ODHIR-in dhe mazhoranca do t’i votojë ato pas dhënies së opinionit nga këto dy institucione”, deklaroi shefi i mazhorancës.
Këtë kryeministri e cilësoi si frymën e kompromisit maksimal, të kërkuar prej kohësh edhe nga ndërkombëtarët për arritjen e dialogut politik dhe kapërcimin e ngërçit të tejzgjatur politik mes mazhorancës dhe opozitës.
“Ne mbetemi të vendosur që në reformën zgjedhore përparësi të ketë opozita shqiptare. Ne jemi dhe mbetemi të hapur ndaj këtyre dy institucioneve për të vendosur standardet më të mira që opozita dëshiron”, tha zoti Berisha.
Këtu ai shprehu bindjen e thellë se numërimi elektronik i votave do të ishte përmbyllja e duhur e diskutimeve për votën e qytetarëve shqiptarë.
“Qeveria është e gatshme që të vendosë sistemin elektronik më të mirë e më të sigurt që ekziston. Por njëkohësisht vendosja e këtij sistemi do të bëjë të mundur që për Shqipërinë të votojnë edhe qindra mijëra emigrantë shqiptarë, që kanë kontribut tejet të rëndësishëm për zhvillimin e vendit. Është detyra jonë t’u lejojmë atyre të shprehin votën për kandidatët që duan. Vendet e zhvilluara u kanë krijuar mundësinë qytetarëve të tyre kudo ku janë për të dhënë votën për forcën politike që duan apo kandidatin që preferojnë”, nënvizoi shefi i qeverisë.
Ai theksoi se votimi elektronik është 100 përqind i mundshëm dhe kërkon vetëm vullnetin e mirë të të gjitha forcave politike për ta zbatuar atë.
“Në rast se do të ishim shprehur kështu katër vjet më parë kjo nuk do të tingëllonte kaq realiste, pasi sot interneti është shtrirë kudo në vend. Kemi mundësi ta shtrijmë atë në çdo qendër votimi të këtij vendi”, tha kryeministri.
Ai ripërsëriti thirrjen për opozitën që ajo të shqyrtojë me seriozitetin më të madh këtë ofertë.
“Edhe në kuadër të mbledhjes së sotme të ministrave të Jashtëm të BE-së.
Ky është interesi më i madh i çdo qytetari shqiptar pavarësisht bindjeve politike. Ftoj opozitën të marrë rolin dhe peshën e saj në ushtrimin e pushtetit që i ka dhënë sovrani. Të gjitha propozimet në këtë reformë do të jenë ekskluzivitet i opozitës”, premtoi kryeministri Berisha në mbledhjen e grupit kuvendor të demokratëve.
mit/NOA