English

Grabitje me pistoleta në Tiranë, plaçkitet supermarketi “Mercator”

Grabitës si nëpër filma, marrin xhiron ditore në një supermarket

Tiranë, 20 qershor 2011 NOA/ Ervin Tirana – Të maskuar si grabitësit nëpër filma me kapele të zezë në kokë dhe me shami të bardhë në fytyrë, dy të rinj kanë hyrë në një supermarket të njohur në Tiranë dhe nën kërcënimin e pistoletave kanë vjedhur një sasi të konsiderueshme parash.

Ngjarja ndodhi pak minuta më parë në rrugën “Komuna e Parisit” në Tiranë kur dy persona ende të panjohur kanë grabitur një supermarket të firmës “Mercator”.

Efektivat e komisariatit të policisë nr.2, të sinjalizuar për ngjarjen mbërritën menjëherë për të identifikuar dhe kapur autorët.

Burime nga policia thanë për agjencinë e lajmeve NOA se dy personat pasi kanë hyrë në ambientet e brendshme të supermarketit kanë kërcënuar arkëtaren me pistoleta me qëllim që të vidhnin xhiron ditore.

Punonjësja është bindur pasi tyta e pistoletës ndodhej në kokën e saj. Pasi kanë marrë paratë autorët janë larguar me shpejtësi me një motor. Policia deklaroi se kanë nisur hetimet për të rënë në gjurmët e grabitësve.

Kohët e fundit, supermarketet, sidomos ato “Euromax” janë në shënjestër të grabitësve në Tiranë.

e.t/NOA

KOMENTE