Tiranë, 20 qershor 2011 NOA- Komisioneri i PS-së, përjashtohet nga salla e KQZ-së ku po vijon numërimi i fletëve të hedhura gabim. Komisioneri Altin Gjino dhe kryetari i KQZ-së Ristani kanë debatuar mes tyre, çka ka bërë që, kreu i KQZ të kërkojë largimin e Gjinos nga salla ku po vijon numërimi. “Detyra juaj është vetëm vëzhgimi i fletëve në kutinë e gabuar. Po tregon mungesë respekti, nuk mund të jesh më numërues në atë tavolinë. Me atë gjuhë që flet duhet të largohesh. Dil përjashta”, ka deklaruar Ristani. Përfaqësuesit ligjorë të PS-së kanë kontestuar përjashtimin e komisionerit të tyre.
“Nuk e di sa korrekt jeni me ligjin. Është më ndershme të thoni nuk ju duam këtu e të vijoni maskaradën se sa të na mbani këtu”, i është drejtuar Ristanit përfaqësuesi i PS, Genc Gjonçaj. Ndërkohë në KQZ vijon numërimi dhe nga nga rezultatet të cilat kanë 8 grupet e improvizuara të numërimit në njësinë 5, 4 vota shkojnë për kandidatin demokrat Lulzim Basha dhe 3 vota për kandidatin socialist Edi Rama. Basha vijon avantazhin me 78 vota.
a.q/NOA