English

Lajçak: Integrimi i Shqipërisë në duart e politikanëve

Uashington, 20 qershor 2011 NOA/ VOA- Diplomati i lartë Evropian Miroslav Lajcak, tha se Shqipëria ka humbur shumë kohë me mosmarrëveshjet e brendshme pas dy zgjedhjeve të fundit dhe vendi duhet të fillojë dialogun për të kapëcyer situatën e krijuar dhe afrimin e vendit me strukturat evropiane. Zoti Lajçak i bëri këto komente në Uashingtion i ftuar në një diskutim mbi prespektivën evropiane të vendeve të Ballkanit. Kolegia Rudina Dervishi ka përgatitur kronikën.

Ndërkohë që Shqipëria po përpiqet të kapëcejë tensionin e brendshëm politik që u shfaq pas zgjedhjeve të përgjithshme të 2009 dhe u acarua më tej pas zgjedhjeve lokale të 8 majit, Miroslav Lajçak, drejtori i menaxhimit për Evropën dhe Azinë Qëndrore në zyrën për marrëdhëniet me jashtë të Bashkimit Evropian, thotë se pa dialog mes palëve nuk do të ketë zgjidhje të problemeve.

Ne ofrojmë ndihmën tonë por duam të shohim përpjekje. Pa dialog politik ne do të vazhdojmë të shohim probleme si ato që kemi ndeshur pas zgjedhjeve të fundit të përgjithshme dhe pas zgjedhjeve të fundit lokale. Kur të nisë dialogu politik do të ketë progres dhe kjo sigurisht do të vlerësohet nga Bashkimi Evropian”.

Miroslav Lajcak, i dërguari disa herë i përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për politikën e Jashtme dhe Sigurinë Cathrine Ashton, për të zgjidhur krizën politike në Shqipëri, thotë se Shqipëria ka humbur shumë kohë dhe duhet t’i zgjidhë me shpejtësi mosmarrëveshjet për të rikuperuar kohën e humbur.

"Në se udhëheqësit politikë dhe partiakë nuk arrijnë të bien dakort mes tyre, ajo që bëjmë ne në Evropë është të kërkojmë opinionin e institucioneve evropiane, OSBE-ODIHR-it, Komisionit të Venecias, Këshillit të Evropës ku Shqipëria është vend anëtar, për të marrë një platformë që do të jetë pikë-nisje për të gjithë shoqërinë. Shqipëria ka humbur shumë kohë dhe kjo është periudha e duhur për të rikuperuar këtë humbje, në mënyrë që raporti i komisionit për këtë vit të jetë pozitiv".

Megjithëse konstaton se e ardhmja evropiane e Shqipërisë është e padiskutueshme, zyrtari i lartë i BE-së thotë se shpejtësia dhe suksesi i këtij procesi është tërësisht në duart e politikanëve shqiptarë dhe të popullit shqiptar.

Zyrtari i lartë i Bashkimit Evropian ishte i ftuar në një diskutim të zhvilluar nga Qendra për Marrëdhënie Transatlantike në Universitetin Johns Hopkins për prespektivën evropiane të Ballkanit. Ai tha se megjithëse zgjerimi nuk është pika kryesore në rendin e ditës të Bashkimit Evropian, të përballur tani me mundësinë e paqëndrueshmërisë financiare të disa vendeve të eurozonës, Brukseli do të vazhdojë të nxisë reformat dhe kërkon të shoh përparim nga të gjitha vendet që synojnë të anëtarësohen në BE. Përveç Kroacisë që duket se është e para, në listën më të afërt janë edhe Serbia dhe Mali i Zi.

Marrë nga “Zëri i Amerikës”

A.q/NOA

KOMENTE