English

Maja Kocijancic: Të nisë dialogu, të përshpejtohet integrimi

Bruksel, 20 maj, NOA - Zëdhënësja e Ashton, pohon se në Shqipëri duhet të nisë dialogu politik për t’i dhënë fund situatës së krijuar deri tani. Në një intervistë për “ABC News”, ajo tha se Shqipëria ka gjëra të tjera më të rëndësishme për të ardhmen e saj evropiane.

Znj. Maja, ministrat e Jashtëm kanë shprehur lodhje për zgjatjen e procesit elektoral në Shqipëri dhe rrjedhimisht humbje të energjive të vendit për reformat e integrimit?

- Kjo është e vërtetë. Ministrat e Jashtëm të BE-së kanë diskutuar dhe një herë situatën në Shqipëri dhe ata kanë shprehur shqetësimin e tyre për situatën aktuale.

Ata u bëjnë thirrje liderëve politikë, që të bëjnë të mundur përfundimin e procesit elektoral në mënyrë të qetë dhe konstruktive, por njëkohësisht në përputhje me të gjitha procedurat përkatëse dhe duke lejuar një proces apelimi transparent dhe në përputhje me kornizën ligjore.

Ata po ashtu kanë bërë një thirrje të qartë për rifillimin dialogut politik në vend.

Këshilli i Ministrave i kërkon po ashtu Shqipërisë për të ecur me ritmin e duhur me agjendën europiane.

Por për ta bërë këtë, vendi duhet të përshpejtojë reformat e integrimit. Fokusi duhet të jenë reformat europiane, forcimin e shteti ligjor, krijimin e një klime politike në përputhje me standardet evropiane.

Pra, sa më shpejt që të kemi një rezultat për zgjedhjet, aq më mirë është për Shqipërinë?

- Ajo që është e rëndësishme është që ky proces duhet të marrë fund.

Ne nuk mund të vazhdojmë me procesin elektoral vazhdimisht kështu.

Por ai duhet të marrë fund në përputhje me rregullat dhe ligjet.

Ne duam që të gjitha palët në Shqipëri të sigurojnë që kjo do të ndodhë, pasi nuk mund të vazhdojmë kështu.

Mund të shtoj gjithashtu, që ministrat e jashtëm janë njohur me iniciativën e Këshillit të Europës për të marrë opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me reformën zgjedhore në Shqipëri, në mënyrë që situata të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.

Ata kanë bërë thirrje për një reformë ekeltorale.

Kur thoni, që procesi duhet të mbarojë por në përputhje me rregullat dhe kornizën ligjore. A do të thotë kjo që është gjyqësori që ka fjalën e fundit?

- Nuk mund të hyjë tani në detaje për të thënë, se kush e ka fjalën e fundit, por sistemi është i qartë, kush është përgjegjës për çfarë, procedurat duhet të respektohen, apelimet duhet të jenë transparente, të ndershme dhe të pavarura. Por duhet të ecim përpara.

Shqipëria ka gjëra të tjera më të rëndësishme për të ardhmen e saj europiane.

NOA (Marrë nga ABC News)

KOMENTE